Nagavci: Ndërhyrjet brutale të PDK-së në arsim ndikuan në rënien e cilësisë dhe besueshmërisë

Nagavci: Ndërhyrjet brutale të PDK-së në arsim ndikuan në rënien e cilësisë dhe besueshmërisë

Arbërie Nagavci nga Lëvizja Vetëvendosje e cila njëherit është anëtare e komisionit për arsim e ka thënë se vendimi i Këshillit Shtetëror të Cilësisë e shpërfaq një situatë për të cilën të gjithë jemi të vetëdijshëm.

Nagavci ka theksuar se kryesisht Partia Demokratike e Kosovës është shkaktare që ka humbur kredibiliteti dhe cilësia në arsimin e lartë.

“Fatkeqësisht me ndërhyrjet brutale dhe të vazhdueshme të politikës kryesisht të PDK-së në institucionet e arsimit të lartë është humb kredibiliteti dhe cilësia ka rënë në vazhdimësi nga viti në vit duke iu pamundësuar kështu të rinjve tanë që të kenë përgatitjet të duhura për jetë dhe për tregun e punës”, ka thënë Nagavci për InDoks.

Përderisa ka folur për reagimin e kryeministrit në dorëheqje, Ramush Haradinaj deputetja e VV-së ka bërë thirrje që nëse Haradinaj ka informata se anëtarët e KShC-së janë mafiozë e mercenarë duhet t’i adresojë

“…ai është i obliguar që t’i adresojë në rrugën e duhur sepse është problem që ne të kemi persona që i quan mercenarë apo mafioz në pozita kaq të rëndësishme për zhvillimet e vendit dhe e dyta nuk duhet harruar se ndër vendimet e para të Qeverisë Haradinaj ishte vendimi i ministrit të Arsimit, zotëri Bytyqi për shkarkimin e Këshillit Shtetëror të Cilësisë – këshillit të kaluar të cilët pa i amnistuar për punën e tyre”, është shprehur ajo.

Tutje, ajo ka folur edhe për emërimin e Artan Nimanin si rektor i Universitetit të Gjakovës.

“Të mos e harrojmë emërimin e fundit të rektorit të Gjakovës, një person që e mori atë pozitë vetëm për faktin që është i afërt i Kadri Veselit dhe me këto ndikime është e qartë që nuk ka asnjë qëllim për interesimin e të ardhmen e të rinjve tanë”, tha ajo.

InDoks përmes dokumentarit “Shesim diploma” do të zbulojë prapaskenat e krijimit të këtyre universiteteve publike. Prapaskenat e funksionimit të universiteteve private. Do të zbulohen dokumente të pa para më herët nga publiku. Do të flasin ata që i drejtojnë këto institucione dhe ata që paralajmëruan shumë herët për krimet që po ndodhnin në arsim.