Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, ka deklaruar se në arsimin e lartë po zhvillohen projekte të rëndësishme të mbështetura nga partnerët zhvillimorë dhe donatorët, me qëllim të fuqizimit të mëtejmë të këtij sektori, shkruan Insajderi.
Ajo në Facebook ka shkruar se në një takim virtual më përfaqësues të ambasadave, donatorë dhe organizata ndërkombëtare, diskutuan për projektet që i financojnë për arsimin e lartë.
“Në një takim virtual të organizuar nga Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, partnerët zhvillimorë, përfaqësues të ambasadave, organizata e ndërkombëtare dhe donatorët treguan për projektet që i financojnë për zhvillimin e arsimit të lartë, ofrimin e bursave për studentët e Kosovës, mobilitetet, afrimin e arsimit të lartë me tregun e punës, por edhe qasjen dhe shfrytëzimin e fondeve dhe programeve ndërkombëtare të shkencës”, ka theksuar ajo.
Nagavci, me këtë rast theksoi nevojën e vazhdimit të bashkëpunimit duke bashkërenduar aktivitetet, në mënyrë që të ketë një ngritje të cilësisë në arsimin e lartë.
“Sfidat dhe vështirësitë që e kanë përcjellë arsimin përgjatë pandemisë, kanë ndikuar edhe në realizimin e projekteve të mëdha të mbështetura nga partnerët zhvillimorë. Bashkëpunimi shton mundësitë edhe në realizimin e programit qeverisës për arsimin, sidomos për arsimin e lartë, në mënyrë që të rinjve tanë t’iu ofrohet arsim sa më cilësor”, ka thënë ministrja e arsimit./Insajderi.com