Nagavci paralajmëron largimin e notimit për nxënësit nga klasa e parë deri në të katërtën

Nagavci paralajmëron largimin e notimit për nxënësit nga klasa e parë deri në të katërtën

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, ka bërë të ditur se e ka në plan që të largojë notimin me nota për nxënësit e klasave  nga një deri te e katërta, përcjell Insajderi.

Ai ka thënë se është shumë e rëndësishme të largohet notimi diferencial pasi që sipas saj, ky notimin nuk është real.

Ministrja nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, ka shtuar se prindërit dhe mësimdhënësit po synojnë që fëmijët e tyre të kenë të gjitha notat pesë, ndërsa në anën tjetër nuk po arrihet që të shihet se ku fëmija ka më shumë talent dhe shkathtësi.

“Ne synojmë që mos të ketë notë nga 1 deri në 5, përveç se humbet energji për mësimdhënësit për notimin e nxënësve, kjo është shumë shpesh joreale dhe prindërit po insistojnë që të gjitha notat t’i kenë fëmijët 5”, ka thënë Nagavci në emisionin “Kallxo Pernime”.

Ajo ka bërë të ditur se do të bëhet vlerësim formativ dhe notat do të largohen.

“Përmes vlerësimit formativ do të ndihmohen nxënësit që të përmirësojnë shkathtësitë e tyre”, ka shtuar Nagavci.

Ndërsa, në anën tjetër, Nagavci ka premtuar se për arsimin fillor prej klasës një deri në pesë do të shpërndahen shujta falas”./Insajderi.com