Nagavci për PDK-në: Vetëvendosje nuk heq vijat e kuqe ndaj atyre që kanë kapur institucionet

Nagavci për PDK-në: Vetëvendosje nuk heq vijat e kuqe ndaj atyre që kanë kapur institucionet

Nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës, Arbërie Nagavci, është deklaruar rreth mocionit të mosbesimit të iniciuar nga Lëvizja Vetëvendosje për Qeverinë e drejtuar nga Avdullah Hoti, njofton Insajderi.

Nagavci në RTV Dukagjini ka thënë se ftesa ndaj PDK-së për rrëzimin e qeverisë nuk ka të bëjë me heqjen e vijave të kuqe.

“PDK e di që për LVV gjithnjë do të ketë vija të kuqe në raport me partitë që kanë keqpërdorur dhe që kapur institucionet e që nuk kanë ndryshuar e reflektuar”, ka thënë ajo.

Nagavci thotë se kanë pritur që opozita natyrshëm ta mbështesë mocionin e VV-së për shkak të keqqeverisjes aktuale.

“PDK ka pasur kritika të vazhdueshme për keq qeverisjen dhe zotin Haradinaj”.

Sipas saj, rrëzimi i qeverisë është interes i shtetit të Kosovës jo vetëm i yni apo PDK-së.

“Ky mocion nuk po bëhet për Vetëvendosjen por që të kemi institucione që punojnë në interes të qytetarëve”, tha ndër të tjera Arbërie Nagavci. /Insajderi.com