Nagavci për SBASHK: Askush nuk mund të më shantazhojë

Nagavci për SBASHK: Askush nuk mund të më shantazhojë

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI), Arbërie Nagavci, thotë se nuk do të lejojë askënd që ta shantazhojë në punën e saj si drejtuese e dikasterit të arsimit, njofton Insajderi.

Derisa foli për raportet e Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK), Nagavci në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës, tha se testimi si instrument i vlerësimit të mësimdhënësve nuk parashihet me legjislacion në fuqi.

“Unë nuk shantazhoj askënd, po ashtu nuk ka asnjë person, asnjë organizatë që mund të më shantazhojë mua”, tha ajo derisa mori fjalën në foltoren e Kuvendit, ku po diskutohet për situatën në arsim të krijuar nga pandemia COVID-19.

Nagavci tha se Qeveria Kurti 2 nuk do të bëjë ndërhyrje politike, sikur qeveritë e kaluara.

“Unë dhe qeveria jonë nuk do të jemi njëjtë sikur qeveritë e kaluara. Ne jemi të gatshëm, të përkushtuar për të punuar me të gjithë. Përkatësia partiake nuk është e rëndësishme. Por është problem kur personat jo kompetent për shkak të favoreve politike”, u shpreh Nagavci.

Ministrja e Arsimit tha se në fillimin e vitit të ri akademik do të jetë udhëzimi i ri administrativ që do të mundësojë që regjistrimi i studentëve për herë të parë të jetë pa pagesë.

“Në fillim të vitit të ri akademik ne do të jemi të gatshëm udhëzimin e ri administrativ që mundëson regjistrimin e studentëve për herë të parë që të jetë krejtësisht pa pagesë”, tha ajo. /Insajderi.com