Nagavci për shtesat për mësimdhënësit: LDK asnjëherë s’e ka pasur prioritet arsimin

Nagavci për shtesat për mësimdhënësit: LDK asnjëherë s’e ka pasur prioritet arsimin

Anëtarja e Kryesisë së Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, ka komentuar premtimin e kryeministrit në detyrë, Avdullah Hotit, për ndarjen e pagave shtesë për punëtorët e arsimit, njofton Insajderi.

Sipas Nagavcit, LDK-ja asnjëherë s’e ka pasur prioritet arsimin, duke shtuar se LDK ka një përgjegjësi të madhe për gjendjen në të cilën gjendet ky sektor.

Ajo theksoi se punëtorët e arsimit janë të vetëdijshëm se me këso lloj premtimesh nuk mund të përparojnë as individualisht e as kolektivisht.

“E pra, LDK-ja asnjëherë s’e ka pasur prioritet arsimin, madje ka një përgjegjësi të madhe për gjendjen në të cilën ky sektor është. Ajo që është më e rëndësishme, nuk mund t’i mashtroni e manipuloni mësimdhënësit, ata nuk shiten. Punëtorët e arsimit janë të vetëdijshëm se me fraza të kota, premtime që s’i mbani e manipulime e shfrytëzim në kohë fushate, nuk mund të përparojnë as individualisht e as kolektivisht”, ka shkruar ajo në “Facebook”.

Sipas Nagavcit, është koha e fundit kur arsimi duhet që të jetë prioritet me buxhet dhe planifikim të mirëfilltë.

“Është koha e fundit kur duhet që arsimi të jetë prioritet me buxhet, me planifikim të mirëfilltë për të mbështetur mësimdhënësit e krijimin e kushteve për punë, për të garantuar siguri në shkolla, për të rritur bashkëpunimin dhe gjithëpërfshirjen. Jo me premtime të kushtëzuara, por me dinjitet”, ka shkruar Nagavci. /Insajderi.com