Nagavci për tensionet e sotme në Kamenicë: Nuk ka të bëjë me ministrinë që drejtoj

Nagavci për tensionet e sotme në Kamenicë: Nuk ka të bëjë me ministrinë që drejtoj

Ministrja e  Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, ka deklaruar se ministria qe ajo drejton nuk është e përfshirë në zhvillimet e sotme në Kamenicë, njofton Insajderi.

Të dielën në Shipashnicë të Poshtme të Kamenicës, ka pasur përplasje në mes të policisë dhe banorëve – pasi në reformat në arsim të komunës që drejtohet nga Qëndron Kastrati, parashihen edhe mbyllja e disa shkollave.

“Sot përmes mediave u informova për atë që ka ndodhur në Shipashnicë të Poshtme të Kamenicës. Si ministre e Arsimit jam e shqetësuar me pamjet që i pashë sidomos për faktin që aty kishte edhe fëmijë. Kam kontaktuar me ministrin Sveçla i cili më njoftoi se Inspektorati i policor tashmë po e heton rastin nëse ka pasur tejkalim të kompetencave.

“Kjo është një situatë e krijuar tash e një kohë në mes Kryetarit të Komunës së Kamenicës dhe banorëve të disa fshatrave atje dhe nuk ka të bëjë asgjë me nivelin qendror”, ka shkruar Nagavci në Facebook.

Nagavci shtoi se si ministre e ka obligim ta realizojë të drejtën e çdo fëmije për shkollim dhe do të punojmë që asnjë fëmije të mos i mohohet kjo e drejtë. /Insajderi.com