Nagavci tha se në seancë ka të infektuar me Coronavirus – reagon Haradinaj

Nagavci tha se në seancë ka të infektuar me Coronavirus – reagon Haradinaj

Kryesuesja e seancës së sotme, Arbërie Nagavci, tha ka informata që në sallë ka të pranishëm deputetë të cilët kanë rezultuar pozitivë me Coronavirus para disa ditësh, shkruan Insajderi.

Ndaj kësaj deklarate ka reaguar shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Daut Haradinaj, i cili tha se Nagavci ka aluduar në deputetin e kësaj partie, Bekë Berisha.

Ai e ka nxjerrë edhe certifikatën mjekësore me anë të së cilës tha se vërtetohet se deputeti i AAK-së ka rezultuar negativ për COVID-19.

“U diskutua rreth një deputeti që është me virus në sallë. U aludua në deputetin Bekë Berisha, ndërsa unë po ju dëshmoj me certifikatë se deputeti Bekë Berisha ka rezultuar negativ”.

Haradinaj paraprakisht tha se AAK-ja e mbështet Projektligjin për Rimëkëmbje Ekonomike, derisa ka përgëzuar Partinë Demokratike të Kosovës që ka paralajmëruar se do ta votojë këtë projektligj./Insajderi.com