Naim Maloku thotë se nuk mund t’i përgjigjet ftesës së Gjykatës Speciale

Naim Maloku thotë se nuk mund t’i përgjigjet ftesës së Gjykatës Speciale

Naim Maloku, është ftuar sot nga Gjykata Speciale në Hagë. Ish-eprori i lartë i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, është lajmëruar nga Lubjana sot, dhe në një intervistë për Info Magazinë, ka thënë se gjendja shëndetësore ia pamundëson t’i përgjigjet ftesës.

“Më tha që jam i ftuar nga Gjykata Speciale në cilësinë e dëshmitarit, ndërsa unë i tregova për gjendjen time shëndetësore. I tregova që është e pamundur që në dy muajt e ardhshëm të kem lëvizje në ndonjë perimetër më të gjatë sesa disa metra nga banesa”.

Maloku ka thënë se ia ka shpjeguar përfaqësuesit të Gjykatës Speciale që e ka telefonuar se gjendja shëndetësore ia pamundëson udhëtimin për t’u intervistuar në Hagë.

“Ata e pranuan si fakt, ndërsa unë ua dhashë edhe emrat e mjekëve që më kanë operuar dhe vazhdojnë të më trajtojnë. Unë do të kthehem më 22 korrik prapë në Institutin e Onkologjisë të Lubjanës për trajtim pas operacionit”.

“Ua dhashë edhe datat e kontrolleve dhe incizimeve mjekësore që duhet t’i bëj në Qendrën Klinike Universitare të Lubjanës dhe në Institutin e Onkologjisë këtu. Ata u pajtuan me këtë”.

“Personi që më ka kontaktuar nga Gjykata Speciale u soll mirë dhe e kuptoi gjendjen time shëndetësore. Nëse duan, mund të kontaktojnë me mjekët dhe ta vërtetojnë edhe nga ata gjendjen time shëndetësore”.

Ai ka deklaruar se nuk e ka befasuar ftesa që e ka marrë nga Specialja.

“Është hera e parë që Gjykata Speciale kontakton me mua. Nuk më befasoi asgjë, unë e prita shumë qetë”.

“Nuk kam çfarë ta fsheh gjendjen time, as para opinionit dhe as para Gjykatës”.

“Unë jam duke u përballur me një sëmundje të rëndë që nga muaji shtator i vitit të kaluar. Jam në Slloveni dhe trajtimin jam duke e kryer në Institutin e Onkologjisë dhe Qendrën Klinike Universitare të Lubjanës”.

Por, ish-eprori i UÇK-së nuk e di se për çfarë rasti është ftuar nga Gjykata Speciale që të dëshmojë.

“Nuk di as për çfarë rasti jam i ftuar dhe ku dhe me çfarë lidhet emri im. Nuk kam kërkuar shpjegime”.

Naim Maloku ka ripërsëritur se gjendja e tij shëndetësore ia pamundëson lëvizjen nga vendi ku po trajtohet, prandaj edhe nuk mund të paraqitet pranë Gjykatës Speciale për ta dhënë dëshminë e tij.

Por, ai është shprehur i hapur për intervistim nga kjo Gjykatë, në rast se përfaqësuesit e kësaj të fundit shkojnë në Lubjanë të Sllovenisë ku ai edhe është duke u trajtuar.

“E kanë numrin e telefonit tim dhe janë të njoftuar me gjendjen time shëndetësore. Nëse duan të komunikojnë me mua mund të vijnë në Lubjanë, përndryshe unë nuk mund të lëviz”./ Insajderi.com

“Më 15 tetor kam sërish kontrollë te kirurgu që më ka operuar i cili edhe do ta caktojë datën e operimit të dytë”.