Naser Gjinovcit i ndalohet ushtrimi i profesionit të avokatit për gjashtë muaj

Naser Gjinovcit i ndalohet ushtrimi i profesionit të avokatit për gjashtë muaj

Një komision disiplinor i Odës se Avokatëve të Kosovë ka vendosur t’ia ndalojë avokatit Naser Gjinovci të drejtën e ushtrimit të këtij profesioni për gjashtë muaj.

Në vendimin e Komisionit të kryesuar nga avokatja Aurora Mulhaxha të cilin e ka siguruar Insajderi – thuhet se Gjinovci ka bërë shkelje meqë “i njëjti ka të themeluar marrëdhënie të rregullt të punës me RTK-në në pozitën e Menaxher i Zyrës Ligjore, kjo sipas listës së punëtorëve”.

“Procedura disiplinore sipas fletëparaqitjes së ushtruar nga z. Fadil Hoxha më datë 15.02.2017 dhe procedura disiplinore sipas e-mailit me nr 15.02.2017 të pranuar nga znj. Sanie Jusufi, gazetare në Koha Ditore, nga të cilët kanë konsideruar që i paraqituri nuk ka të drejtë të ushtrojë funksionin e avokatit në të njejtën kohë që është i angazhuar në RTK”, thuhet në arsyetimin e vendimit.

Naser Gjinovci përveç si avokat, është i njohur për karrierën e tij si këngëtar. Ai ka qenë pjesë e grupit Minatori, që kanë krijuar këngë që vazhdojnë të jenë të dëgjuara në Kosovë dhe më gjerë./Insajderi.com