Naser Ramadani: Hapja u bë sepse mendonim se qytetarët ishin mësuar të mbroheshin nga Covid-19

Naser Ramadani: Hapja u bë sepse mendonim se qytetarët ishin mësuar të mbroheshin nga Covid-19

Drejtori i Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës, Naser Ramadani, ka folur për situatën aktuale në vend në luftë me pandeminë Covid-19 duke thënë se hapja u bë sepse mendonim se qytetarët ishin mësuar si të mbroheshin, njofton Insajderi.

Në emisionin “Pressing”, Ramadani, tha se në fillim nuk kishin menduar se Coronavirusi do të zgjaste.

Ai më pas shpjegoi se këshilluan hapjen më 1 qershor, pasi menduan se për tre muaj qytetarët do të mësonin si të mbroheshin nga Covid-19.

“Kemi pasur presion që të shpëtojmë jetën e njerëzve dhe presion që të shpëtojmë ekonominë. Ne vendosëm për të shpëtuar njerëzit, janë dhënë udhëzuesit se si të sillemi”.

“Lirimi është dashur të bëhej, sepse çdo shtet e ka bërë”, tha Ramadani, duke treguar se masat e aplikuara në Kosovë nuk kanë qenë shtrënguese sikurse në vendet tjera.

Ai thotë se qytetarët duhet të mësohen të jetojnë me Coronavirusin, dhe sa më herët që ndodh një gjë e tillë, situata do të përmirësohej.

Ai më pas ka ripërsëritur disa herë se askush përveç epidemiologëve nuk duhet të udhëzojë menaxhimin e pandemisë./Insajderi.com