Përmes një shkrese drejtuar gjykatësit paraprak, Nicolas Guillou, mbrojtja Nënkryetarit të Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL-UÇK), Nasim Haradinaj, ka kërkuar që konferenca e dytë mbi ecurinë e çështjes të zhvillohet pa prezencën e këtij të fundit, njofton Insajderi.
Në këtë shkresë thuhet se në emër të Haradinaj bëhet kërkesë që seanca të shqyrtohet në mungesë të pandehurit dhe prezencë të avokatit të tij.
Tutje, thuhet se bashkangjitur në këtë aplikacion është shtojca konfidenciale, e cila përbëhet nga konfirmimi i nënshkruar i Haradinaj se nuk do të marrë pjese e se çështja duhet të vazhdojë në mungesë të tij.
Mbrojtja thotë se konfirmojnë se Haradinaj ka marrë këshillat e duhura nga mbrojtësit dhe se , çështja është diskutuar në konferencë me të.
Ndryshe, nëse pritet të mbahet konferenca mbi ecurinë e çështjes, e cila është caktuar për orën 11:00, në rastin ku Haradinaj po akuzohet së bashku me Hysni Gucatin.
Hysni Gucati, së bashku me Nasim Haradinajn, po akuzohen për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, konkretisht për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, për frikësim të dëshmitarëve, për hakmarrje dhe për shkelje të fshehtësisë së procedurës.
“Akuzat e paraqitura në aktakuzën e konfirmuar mbështeten në dyshimin e bazuar mirë se së paku midis 7 dhe 25 shtatorit 2020, z. Gucati dhe z. Haradinaj zbuluan pa autorizim informacion të mbrojtur prej Ligjit të Dhomave të Specializuara, ndër të cilat të dhëna identifikuese të disa dëshmitarëve (të mundshëm), në tre konferenca shtypi dhe aktivitete të tjera të transmetuara, si edhe përmes shpërndarjes së mëtejshme ku përfshihen deklaratat në rrjetet sociale. Z. Gucati dhe z. Haradinaj bënë akuza dhe komente nënçmuese kundër dëshmitarëve (të mundshëm) dhe në mënyrë të përsëritur shprehen synimin e tyre për të dëmtuar punën e Dhomave të Specializuara. Me këto veprime, z. Gucati dhe z. Haradinaj shkelën fshehtësinë e procedurës dhe frikësuan dëshmitarë (të mundshëm) të Zyrës së Prokurorit të Specializuar dhe si pasojë penguan punën dhe hetimet e ZPS-së.”, thuhej në njoftimin e Dhomave të Specializuara të Kosovës.
“Në bazë të Ligjit, Dhomat e Specializuara të Kosovës kanë juridiksion që të gjykojnë individë për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë kur këto vepra penale kanë të bëjnë me procedurat zyrtare dhe zyrtarë të Dhomave të Specializuara.”, thuhej tutje në njoftim./Insajderi.com