
“Arrestimi i Salih Mustafës është pasojë e ngritjes së duarve në Kuvend”.
Në këtë mënyrë e ka përshkruar arrestimin Mustafës, nënkryetari i Organizatës së Veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Nasim Haradinaj.
Në një prononcim për Insajderi-n, ai tha se arrestimi i Mustafës është i lidhur më votimin e Gjykatës Speciale nga deputetët e Kuvendit të Kosovës.
“Është pasojë e duarve të ngritura, Gjykata Speciale u votua në Kuvendin e Kosovës dhe tash arrestohet qytetari në shtetin e tij nga dikush tjetër”, tha Haradinaj.
Haradinaj nuk tregoi nëse do të ketë ndonjë aktivitet të OLV-UÇK-së, për ta kundërshtuar këtë arrestim, duke thënë se kjo organizatë ka mbledhje të rregullta me degët e saj ku merren vendimet.
Salih Mustafa është arrestuar të enjten, kjo është konfirmuar nga Zyra e Prokurorit të Specializuar. /Insajderi.com