Nasim Haradinaj: Nuk e di nëse Qerim Kelmendi ka qenë i ftuar nga Gjykata Speciale

Nasim Haradinaj: Nuk e di nëse Qerim Kelmendi ka qenë i ftuar nga Gjykata Speciale

Nënkryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Nasim Haradinaj ka thënë se nuk ka informacion nëse ish-pjesëtari i UÇK-së, Qerim Kelmendit i vrarë mëngjesin e sotëm ka pasur ftesë nga Gjykata Speciale.

Në një prononcim për Gazetën Insajderi, Haradinaj tha se nuk di nëse Kelmendi ka qenë i ftuar nga Specialja, por ai beson se çdo pjesëtar i UÇK-së është target i mundshëm i ftesës së Gjykatës Speciale.

“Personalisht nuk e di nëse ka qenë i ftuar nga Gjykata Speciale, për mua çdo pjesëtar i UÇK-së është target i mundshëm i ftesës Gjykatës Speciale. Ne si organizatë nuk kemi njohuri nëse ka qenë i ftuar”, ka thënë Haradinaj.

Qerim Kelmendi, ish-pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, është gjetur sot i vrarë në veturën e tij në Zahaq të Pejës.

Qerim Kelmendi njihej si kritikues i madh i LDK-së dhe Presidentit Ibrahim Rugova.

Sipas Policisë së Kosovës, Kelmendit së pari ishte vrarë e pastaj djegur në veturë e tij, kurse trupi i është gjetur i karbonizuar.

Vrasjen e rëndë në qytetin e Pejës e ka konfirmuar zëdhënësi i Prokurorisë, Shkodran Nikçi.

“Prokurori kujdestar i Departamentit të Krimeve të Rënda së bashku me njesitë policore, kanë dalë në vendin e ngjarjes, dyshohet se ka qenë një trup i pajetë. Prokuroria dhe policia janë duke marrë masat e nevojshme për ndriçimin e rastit”, ka thënë Nikçi. /Insajderi.com