Nata e parë kundër Thaçit – entuziazëm, muzikë dhe pritje (Video)

Për shumicën e aktivistëve opozitarë, nata e 23 shkurtit ka qenë e para që e kanë kaluar nën qiell të hapur, para Qeverisë duke kërkuar rrëzimin e saj e kësisoj edhe pengimin e bërjes president të Hashim Thaçit. Në natën e parë entuziazmi është i lartë. Por sa do të zgjasë kjo gjendje?

Nata e parë kundër Thaçit – entuziazëm, muzikë dhe pritje (Video)

Është nata e parë dhe shumica e të pranishmëve në sheshet Ibrahim Rugova dhe Skënderbeu janë entuziastë për qëndrimin nën qiell të hapur.

Edhe pse ora kishte vajtur 3 pas mesnate, shumë aktivistë po vazhdojnë të qëndrojnë zgjuar. Shumica prej tyre janë të rinj në moshë. Disa të tjerë kanë fjetur përkundër muzikës folklorike me sharkia e çiftelia.

Madje gjumashëve të tillë nuk ua prish gjumin as ardhja e liderit të AAK-së në tendë që ngjallë brohoritje të shumta.

Haradinaj u bashkohet këngëtarëve dhe bashkë me masën e mbledhur aty fillojnë të këndojnë “O moj Shqipni mos thuej marova”.

Edhe pse Haradinaj  – që ka dhënë dorëheqje nga posti i deputetit– shihej entuziastë për masën e protestuesve në atë orë, ai vet nuk dha përgjigje nëse do të kalonte natën aty.

Grupe të tjera protestuesish bënin përgatitjet e fundit nëpër tenda, duke vendosur batanije e mjete të ndryshme që zëvendësojnë krevatin. Disa të tjerë shërbeheshin me qaj e disa të tjerë kalonin kohën duke luajtur shah.

Edhe lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri shihet tek tenda e “Informacionit” teksa afër tij qëndron nënkryetari Driton Çaushi.

Ai shprehet i entuziazmuar që edhe në orën 02:00 ka qytetarë që i bashkohen protestës.

“Vërehet një gatishmëri e lartë e qytetarëve që t’i bashkohen protestës. Në mëngjes presim edhe më shumë, pasi do të vijnë aktivistë nga qendra të ndryshme të vendit”, thotë Çaushi.

20160224_005912

Është i bindur se liderët dhe anëtarët e lartë të tri partive opozitare do ta kalojnë natën nën qiellin e hapur bashkë me protestuesit e tjerë. Por nuk ka treguar nëse ka tenda të  rezervuara për ta.

Por kjo duket jo fort e rëndësishme për protestuesit apo aktivistët e thjeshtë të opozitës.

“Për mua është e rëndësishme që të dalë këtu si qytetar dhe aktivist dhe pak është e rëndësishme a rrinë liderët a jo”, tha Agim Halili, një qytetar rreth të 30-ve i cili kishte dalë në shesh së bashku me disa aktivistë të tjerë të AAK-së.

Foto 2

Shumica e tyre thonë se janë thjeshtë protestues dhe kanë lënë anash se cilës parti i takojnë, por shihej ashiqare ndarja grupore e aktivistëve. Më të shpeshtë janë ata të Lëvizjes Vetëvendosje që janë të vendosur në shumicën e tendave “zyrtare” në shesh, sikurse hapësira për pije e ushqim dhe tek tenda e informacionit.

“Jam entuziast që do ta kaloj natën këtu për të mbrojtur shtetin tim”, tha një aktivist tjetër që u prezantua me emrin Jon.

Nëpër tri sheshet kryesore vërehen gjithashtu grupe të policëve të cilët enden edhe nëpër masat e protestuesve.

E shumica e protestuesve thonë të jenë të vetëdijshëm që mëngjesi i 24 shkurtit nuk do të ketë ndonjë ndryshim, por shpresojnë që në një mëngjes brenda këtij muaji në vend do të vijë ndryshimi.

Tekstit i kontribuoi edhe Eros Klaiqi