Natali Velija në gjendje të keqe shëndetësore, thotë avokati i saj

Natali Velija në gjendje të keqe shëndetësore, thotë avokati i saj

E dënuara me 12 burgim për krim të organizuar dhe shpërlarje parash, Natali Velija është duke hasur në vështirësi me shëndetin brenda Qendrës Korrektuese në Lipjan. Por, Qendra Korrektuese nuk po ia aprovon ushqimin e rekomanduar nga mjeku kardiolog.

“Gjendja e saj [Natali Velijajt v.j] nuk është e mirë. Ajo ka probleme me zemrën”, thotë avokati i saj, Ramë Dreshaj.

Velija, sipas avokatit të saj Ramë Dreshaj, ka shumë probleme brenda burgut të Lipjanit, mirëpo një nga problemet kryesore është gjendja shëndetësore e saj. Dreshaj nuk e di përse Qendra Korrektuese nuk ia lejon Veliajt ushqimin e posaçëm dietal që po i rekomandohet nga mjeku kardiolog.

“Nuk e di për çfarë arsye, atë mund ta dinë vetëm administrata e burgut. Unë e di që personat që janë nën vuajtjen e dënimit i takojnë të gjitha të drejtat që i takojnë. Nëse mjeku i rekomandon që me ngrënë këtë apo këtë, atëherë i takon kjo e drejtë”, ka thënë Dreshaj, në një bisedë me Insajderin.

Dreshaj tregon se çfarë ushqimi është duke konsumuar gjatë këtyre ditëve Natali Velija.

“Unë sot isha në vizitë tek ajo, dhe është e vërtetë që ajo sa e herë që e vizitoj, ka ankesa. Por ajo sot më tha që e ka vetëm një trangull, një domate dhe një jogurt dhe asgjë tjetër. Rekomandimi është një ushqim dietal sepse ka probleme me zemrën dhe i është rekomanduar nga kardiologu”, tregon Dreshaj.

Për problemet me të cilat klientja e tij është duke u përballur në Qendrën Korrektuese në Lipjan, avokati Ramë Dreshaj thotë se do t’i drejtohet edhe Ambasadës së Gjermanisë.

“Të hënën unë do t’iu drejtohem me një shkresë institucioneve kompetente rreth kësaj. Me ua tërheq vërejtjen dhe me iu drejtu Ambasadës gjermane, sepse ajo është shtetase e Gjermanisë”, ka thënë ai.

Velija, e cila vuan dënimin në Qendrën Korrektuese në Lipjan, ishte arrestuar në nëntor të vitit 2012 nga policia e EULEX-it,  pasi dyshohej se si pronare e  firmës “Consulting EU Sh.p ,kishte  përvetësuar rreth 1, 4 milion euro, mjete këto që do të duhej  t’ia transferonte ndërmarrjes austriake “Österreichische Staatsdruckerei” (OeSD), e cila kishte prodhuar pasaportat e Kosovës.

Që nga ajo kohë, e deri tash janë bërë rreth pesë vjet nga qëndrimi i saj prapa grilave.

Në dhjetor të vitit 2014,  pas një procesi gjyqësor,  Velija dënohet nga Gjykata Themelore e Prishtinës me 12 vjet burgim, dënim ky i cili u zbrit nga Gjykata e Apelit në 8 vjet burgim dhe gjobë prej 25mijë eurove.

Ajo akuzohej nga një prokuror i Eulex-it në kuadër të Prokurorisë Themelore të Prishtinës për nëntë vepra penale, përfshi krimin e organizuar, pastrimin e parave, vjedhjen e rëndë, mashtrimin, shmangien nga tatimi, shpërdorimin, keqpërdorimin e besimit, falsifikimin dhe rastet e posaçme të falsifikimit të dokumenteve.

Përveç saj, në këtë rast ishte dënuar edhe bashkëpunëtori i ngushtë e Veliajt, Fisnik Blakaj, i cili nga 11 vjet sa ishte dënuar nga shkalla e parë, ky dënim i ishte zbritur në 6 vjet nga Apeli dhe  gjobë prej 25 mijë eurove.

Dënimit nuk u kishin shpëtuar as vëllai i Fisnikut, Betim Blakaj, i cili ishte dënuar më 1 vit burgim dhe 3.000 euro gjobë, Ergyn Dogani me 5 vjet burim dhe 15 mijë euro; Imer Fazlia me 2 vjet burgim dhe gjobë prej 8.000 eurosh, kurse Nazmi Thaçi me 1 vit burgim dhe 5.000 euro gjobë.

Ndërkaq, Jakup Blakçori dhe Sefedin Shala ishin shfajësuar nga veprat penale, të cilat rëndonin mbi ta. /Insajderi.com