Natali Velijajt nuk i lejohet në burg kopja e intervistës së saj dhënë për Insajderin

Natali Velijajt nuk i lejohet në burg kopja e intervistës së saj dhënë për Insajderin

Autoritete e burgut të Lipjanit nuk e kanë lejuar avokatin e Natali Velijajt, që t`ia jap asaj intervistën në formën e printuar, të cilën e ka dhënë për Insajderin disa ditë më parë.

Sipas avokatit të Velijajt, Ramë Dreshaj, përgjegjësi i ndërrimit i ka thanë atij se intervista në formën e printuar nuk mund të futet brenda pa u lexuar fillimisht nga drejtori i burgut, Eset Loka.

Dreshaj, tha për Gazetën Insajderi se ankesat për këtë rast do t`i drejtoj deri tek ministri i drejtësisë.

“Do të ankohem për shkelje të të drejtave kushtetuese, si në këtë rast e drejta për tu informuar”, tha ai.

Avokati Dreshaj, tha se ky rast përveç që është i pakuptimtë është edhe një dëshmi e presionit që po i bëhet Velijajt në burg “e sidomos prej ditës kur ka dhënë intervistë”.

Kurse Velijaj në një deklaratë për Insajderin, ka thanë pos tjerash se ajo që dy javë ushqehet vetëm me vezë, për shkak të dështimit të një tenderi për furnizim me ushqime, ndonëse do të duhej të ushqehej me ushqime të caktuara për shkak të dietës shëndetësore.

Velijaj vuan nga një sëmundje në zemër dhe ushqimin e ka me recet të mjekut- kryesisht proteina dhe minerale.

“Kur jam ankuar në burg për ushqimin që nuk më është lejuar, më kanë thanë pi ujë mineral”, tha ajo.

Nga ana tjetër drejtori i burgut të Lipjanit, Eset Loka, i kontaktuar nga Insajderi tha se Velijajt do t`i lejohet intervista, mirëpo avokati i saj nuk e ka lënë aty por e ka marrë intervistën në formën e shtypur me veti./Insajderi.com