"Veprim i pamenduar politikisht e juridikisht"

Natasha Kandiq kundërshton arrestimin e Nehat Thaqit

Natasha Kandiq kundërshton arrestimin e Nehat Thaqit

Kryetarja e Iniciativës KOMRA, Natasha Kandiq, i tha Radios Evropa e Lirë se Serbia me arrestimin e drejtorit të Policisë së Kosovës, për rajonin e Mitrovicës Jug, Nehat Thaçi, “është futur në një gjendje që nuk i takon as të kaluarës dhe as të ardhmes”.

Ajo e përshkroi veprimin e policisë serbe si “të pamenduar politikisht dhe juridikisht”.

Kandiq tha se me veprimet, siç është ai i arrestimit të drejtorit të Policisë së Kosovës, ”Serbia edhe drejtpërdrejt mund të rrezikojë krijimin e Gjykatës Speciale për krime lufte, që dyshohet t’i kenë kryer pjesëtarët e ish-UCK-së”.

“Serbia është thelluar në një gjendje që nuk është as e kaluar dhe as ardhme. Vepra penale e terrorizmit ka qenë një vepër e përdorur gjerësisht me të cilën janë akuzuar shqiptarët më 1996 dhe 1997 nga drejtësia serbe”.

“Kur shikohet se cila ka qenë baza dhe cilat janë dëshmitë për akuza të tilla, është e qartë se bëhej fjalë për akuza politike. Ajo që përshkruhej në ato akuza, thjeshtë nuk do të kalonte asnjë instancë të cilësdo qoftë ekspertizë juridike”, tha Kandiq.

Arrestimi i nënkolonelit Nehat Thaçi, drejtor rajonal i Policisë së Kosovës në Mitrovicë, nga ana e autoriteteve të Serbisë po trajtohet nga ministria për Dialog në kuadër të bisedimeve me Beogradin në Bruksel.

Zëvendësministri i Punëve të Jashtme, Valon Murtezaj ka thënë se me çështjen e Thaçit po merret ministria për Dialog.

Nga Brukseli, ministrja Edita Tahiri u ka bërë thirrje autoriteteve të Beogradit që të lirojnë Thaçin, i cili po mbahet në paraburgim nën “akuzën për terrorizëm”.

Pritjet e qeverisë së Kosovës janë që me këtë çështje të merret edhe Bashkimi Evropian, si lehtësues në bisedimet ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit.

Ministria e Punëve të Brendshme të Serbisë ka konfirmuar njoftimet se policia ka arrestuar Nehat Thaçin, nga Ferizaj, në bazë të “fletarrestit të lëshuar me urdhër të Gjykatës së Lartë në Nish për veprën penale të terrorizmit”.

Në kumtesën e Ministrisë thuhet se “Thaçi u arrestua të mërkurën në mbrëmje rreth orës 20 në vendkalimin administrativ Konçul, gjatë lëshimit të vërtetimit për hyrje në territorin e Serbisë Qendrore”.

“Në bazë të vendimit të Gjykatës së Lartë në Nish për përcaktimin e paraburgimit nga viti 2010, Thaçi është dërguar në njësinë e paraburgimit”, thuhet në kumtesën e Ministrisë së Brendshme të Serbisë.

Gjatë ditës, Qeveria e Kosovës është treguar e përmbajtur duke mos reaguar pas arrestimit të Thaçit. Ndërkohë që edhe misioni i Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit – EULEX, nuk është përfshirë në këtë rast.

Zëdhënësja e EULEX-it, Besa Domi ka thënë për Radion Evropa e Lirë se ky mision nuk është përfshirë në rastin Thaçi.

Ndërkohë, në formën individuale, ka reaguar zëvendësministri i brendshëm, Nehat Mustafa përmes një shkrimi në rrjetin social Facebook.

Ai mes tjerash ka ftuar Kuvendin e Kosovës që të reagoj ndaj arrestimit të nënkolonelit të policisë së Kosovës nga ana e autoritete serbe.

“Mbrëmë nga policia e Serbisë është arrestuar nënkolonel, Nehat Thaçi – Drejtor i Policisë në Mitrovicë. Ai po akuzohet për terrorizëm, akuzë kjo me të cilën Serbia ka akuzuar e do të vazhdojë t’i akuzojë të gjithë shqiptarët”, ka shkruar Mustafa./REL