Duke sqaruar deklaratën e kryetarit të Komitetit Ushtarak të NATO-s, Petr Pavel që paralajmëroi një konflikt të ri në Ballkan për shkak të ndikimit të Rusisë dhe presidentit Vladimir Putin në Serbi, James Appathurai, zëvendës asistent i sekretarit të përgjithshëm të NATO-së për çështje politike dhe të sigurisë, i është përgjigjur edhe dekalratave të liderëve Ballkanik mbi luftën e mundshme në Ballkan.
Serbia është një partner i fortë, i besueshëm dhe i qëndrueshëm i NATO-s, citohet të ketë thënë James Appathurai, zëvendës asistent i sekretarit të përgjithshëm të NATO-së për çështje politike dhe të sigurisë.
Duke folur për B92, lidhur me procesin e anëtarësimit të Serbisë në NATO dhe ndikimit rus në Serbi, Appathurai, ka komentuar edhe deklaratën e kryetarit të Komitetit Ushtarak të NATO-s, Petr Pavel që paralajmëroi një konflikt të ri në Ballkan për shkak të ndikimit të Rusisë dhe presidentit Vladimir Putin në Serbi.
Apparthurai tha se asgjë që Pavel ka thënë nuk paralajmërojnë ndonjë konflikt në rajon.
“Ajo deklaratë ishte një përkthim i gabuar. Ne jemi të interesuar që të shikojmë marrëdhëniet me Kroacinë, krizën e emigrantëve. Nuk shoh ndonjë konflikt të mundshëm këtu dhe gjenerali Pavel kurrë nuk ka thënë diçka të tillë”, ka thënë Apparthurai.
Javëve të fundit, zërat për një konflikt të mundshëm janë shtuar në Ballkan. Në Serbi, presidenti Tomisllav Nikoliq, sot tha që “luftërat bëhen kur dikush dëshiron të vjedhë territorin dhe pasurinë e një vendi”.
Disa javë më herët, ish-lideri i Vetëvendosjes Albin Kurti në Kosovë, duke folur nga Tiranë për marrëveshjen kufitare mes Kosovës dhe Malit të Zi, kishte thënë se “Ballkani po rrezikohet prej stuhive të reja”.
“Për bindjen time, dhe nëse nuk ndryshon diçka, atëherë, ne 4 -5 vitet e ardhshme, më shumë ka gjasa që të ketë luftë, sesa që të mos ketë luftë. NUK PO THEM QË DO TË KETË LUFTË, mirëpo nëse nuk ndryshohet diçka, nëse nuk fuqizohemi e organizohemi, nëse nuk i zmbrapsim këto apetite, atëherë dobësia jonë do të shndërrohet në një magnet për apetitet e shtuara të të tjerëve, dhe asisoj ne rrezikojmë që edhe një herë të ndodhemi para konflikteve të përgjakshme”, citohet të ketë thënë Kurti sipas VV-së.
E Appathurai nga Serbia ka thënë se situata në Ballkan po shkon duke u përmirësuar.
“Unë e pash sesi kryeministrat serb dhe shqiptar biseduan për çështje të vështira që janë ngritur sërish, duke përfshirë edhe Kosovës, por ka një dialog politik dhe ne jemi të kënaqur me të. Serbia po i afrohet BE-së dhe kjo është një gjë e mrekullueshme; reformat janë të mira për Serbinë, por ne kemi parë luhatje në këto marrëdhënie”, ka thënë zyrtari i lartë i NATO-s, raporton Insajderi.
Ai vuri në dukje se Serbia nuk mund të hy në BE pa u anëtarësuar në NATO dhe anasjelltas.
Zyrtari i NATO-s është pyetur nga B92 edhe për faktin sesi mendon “NATO që të afrojë popullin serb, duke pasur parasysh agresionin e NATO-s ndaj Serbisë në vitin 1999”.
“Ne të gjithë e mbajmë mend vitin 1999…. ministri juaj i Jashtëm ka propozuar disa programe dhe në shpresojmë që do të trajtohen në mënyrën më të detajuar kur kryeministri juaj të vizitojë selinë tonë në SHBA”, ka thënë Appathurai duke iu drejtuar qytetarëve serb.
Ka thënë gjithashtu se nuk është i shqetësuar nga ndikimi i Rusisë në Ballkan.
“Por megjithatë ne jemi duke vëzhguar nga afër aktivitetet ruse në Serbi dhe ne nuk na ikë asgjë. Duam që vendet e rajonit të marrin vendimet e tyre pa marrë parasysh se cilën anë e zgjedhin dhe për aq kohë sa kanë pavarësi në zgjedhje, ne jemi komplet në rregull me zgjedhjet e tyre”, ka thënë Appathurai./Insajderi.com