NATO zotohet për implementimin e marrëveshjes për targat

NATO zotohet për implementimin e marrëveshjes për targat

NATO-ja është zotuar për implementimin e marrëveshjes që u nënshkrua të enjten në Bruksel mes Kosovës dhe Serbisë lidhur me targat e veturave.

Në një komunikatë për media, zëdhënësja e NATO-s, Oana Lungescu, ka thënë se e mirëpresin marrëveshjen mes dy palëve teksa ka shtuar se KFOR-i do të luajë rol kyç në zbatimin e saj.

“Misioni i KFOR-it i udhëhequr nga NATO do të luajë rol kyç për të siguruar zbatimin efektiv të marrëveshjes, në përputhje me Rezolutën e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara 1244 të vitit 1999 që mandaton KFOR-in të sigurojë një mjedis të sigurt dhe të sigurt dhe liri të lëvizjes për të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë”, thuhet në komunikatë.

Po ashtu, ka bërë të ditur se sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, do të presë në takim të premten emisarin e posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.

Miroslav Lajçak dhe Jens Stoltenberg

Sipas marrëveshjes së arritur në Bruksel, forcat e njësisë speciale të Policisë së Kosovës të vendosura në Jarinjë e Bërnjak, do të largohen njëkohësisht me bllokadat në rrugë të vendosura nga serbët që kundërshtuan reciprocitetin për targat, ndërsa aty do të vendoset KFOR-i.

Po ashtu elementet shtetërore në targat e veturave do të mbulohen me letra ngjitëse, ndërsa do të formohet një grup punues për të gjetur një zgjidhje të përhershme./Insajderi.com