Ndahen 1 milionë euro për Trepçën

Ndahen 1 milionë euro për Trepçën

1 milionë euro janë ndarë për Trepçën të hënën, njofton Insajderi.

Punëtorët e kësaj kompanie publike kishin hyrë në grevë pasi nuk kanë marrë pagat e tetorit.

Qeveria e Kosovës ka miratuar vendimin për të plotësuar dhe ndryshuar vendimin e mëparshëm për ndarjen e mjeteve buxhetore për zbatimin e programit të rimëkëmbjes ekonomike.

“Qeveria e Republikës së Kosovës, e drejtuar nga Kryeministri Avdullah Hoti, në pajtim me Rregulloren e Punës së Qeverisë, ka mbajtur mbledhje korresponduese (elektronike), të 44-tën me radhë, në të cilën ka shqyrtuar dhe miratuar vendimin për plotësimin dhe ndryshimin e vendimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës për ndarjen e mjeteve buxhetore për zbatimin e Programit të Rimëkëmbjes Ekonomike të datës 28 shtator 2020”, thuhet në komunikatën e Zyrës së Kryeministrit.

“Me këtë rast, mjetet e ndara në Ministrinë e Ekonomisë dhe Ambientit, në nënprogramin Ndërmarrësia, në shumën prej një milion euro, transferohen në Programin e Rimëkëmbjes Ekonomike në kategorinë “Subvencione dhe Transfere”, në Njësinë për Politika dhe Monitorim të Ndërmarrjeve Publike dhe do të përdoren për mbështetjen e N.P. ‘Trepça’”. /Insajderi.com