
Oda Ekonomike e Kosovës në bashkëpunim me Ministrinë e Financave, Administratën Tatimore të Kosovës dhe Doganat e Kosovës, kanë shpallur sot 15 tatimpaguesit më të mirë për vitin 2017 si dhe 20 eksportuesit më të mirë kosovarë.
Në ceremonia e ndarjes së këtyre titujve Ministri i Financave, Bedri Hamza, tha se do të angazhohet për sektorin privat dhe se asnjë ligj nuk do të procedohet pa marrë edhe komentet e bizneseve.
Hamza ka thënë se bizneset të cilat punojnë e punësojnë shumë njerëz, dhe mbushin arkën e shtetit, duhet të kenë respekt të veçantë në institucionet e Kosovës.
“Ne jemi të relaksuar, jo pa obligime e pa përgjegjësi, por me rezultatin e kënaqshëm të të hyrave”.
Sakip Imeri, drejtori i i ATK-së, tha se Administrata Tatimore është institucioni që ka përgjegjësinë kryesore në administrimin e tatimeve, detyrë fisnike dhe me përgjegjësi të veçantë në Qeverinë e Republikës se Kosovës.
“Jemi në vitin e tetëmbëdhjetë, të funksionimit, sukseseve dhe vështirësive të saj. Në mënyrë të veçantë, ndihemi mirë që kemi arritur të kemi një institucion të konsoliduar në nivelin e një institucioni kompetent, me integritet të lartë profesional dhe modern në linjë me zhvillimet e përgjithshme ekonomike, teknologjike dhe administrative, të krahasueshme me Administratat Tatimore moderne ndërkombëtare”.
Sipas tij, ky është një vlerësim i nxjerr edhe nga raportet e institucioneve ndërkombëtare si FMN (përkrahëse dhe mbikëqyrëse e vazhdueshme e ATK-se), Banka Botërore (Raporti i të bërit biznes), KE (raportet periodike dhe studimet per Informalitetin ne Kosovë) GIZ (Studimi: Transparenca, Efikasiteti, Orientimi drejt Shërbimit dhe Korrektësia e ATK-së).
Sakipi tha se ATK është e orientuar drejt ofrimit te shërbimeve elektronike, krijimit të aplikacioneve që lehtësojnë përmbushjen vullnetare të tatimpaguesve, analiza e riskut në përzgjedhjen e tatimpaguesve potencialisht që shmangin pagesën e tatimeve, përdorimi i forcës së ligjit ndaj atyre që bëjnë evazion fiskal duke rrezikua konkurrencën e drejt në treg të tatimpaguesve të ndershëm.
Ndër tjera, drejtori Imeri tha se ATK, me kapacitetet e saj dhe në bashkëpunim edhe me institucionet tjera të zbatimit të ligjit, është e përgatitur që të zbatoj të gjitha iniciativat e Qeverisë në funksion të lehtësimit të të bërit biznes në Kosovë, jemi të përkushtuar që të punojmë me përfaqësuesit e bizneseve që të mbështesim të gjitha përpjekjet, për një zhvillim sa më të madh ekonomik dhe konkurrencë të ndershme në treg. Prioritet është luftimi i informalitetit në Kosovë, posaçërisht në pjesën e ekonomisë së hirtë, ku ka përgjegjësi ATK.
“Përzgjedhja e 15 tatimpaguesve në mesin e shumë tatimpaguesve të mirë në Kosovë, ka qenë shumë e vështirë, lista ka qenë e gjatë, megjithatë ka qenë një kufizim për shkak të numrit të përcaktuar. Në ngjarjet e ardhshme me siguri se do të përzgjidhen edhe shume të tjerë. Të dhënat tuaja (në sistemin e ATK-së) për periudhën janar – nëntor 2017 i kanë sjell buxhetit të Kosovës mbi 45,7 milion tatime, 13.830 te punësuar dhe mbi 770 milion euro qarkullim në treg”.
Ndarja e titujve për tatimpaguesit dhe eksportuesit më të mirë është ngjarje e përvitshme.