Ndalohen 4 inkasantë dhe një pronar hoteli – dyshohet se bashkëpunuan për vjedhjen e rrymës

Ndalohen 4 inkasantë dhe një pronar hoteli – dyshohet se bashkëpunuan për vjedhjen e rrymës

Policia ka ndaluar pesë persona, katër prej të cilëve punonjës të OSHEE dhe një pronar hoteli.

Specialistët e Seksionit kundër krimit ekonomiko – financiar pranë Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë, mbi bazën e informacioneve të siguruara në rrugë policore dhe dyshimeve të arsyeshme, se një subjekt privat, hotel në Shëngjin, nuk faturohej për energjinë elektrike të konsumuar, ardhur kjo nga shpërdorimi i detyrës i punonjësve të kompanisë OSHEE, duke i sjellë dëm ekonomik kësaj kompanie, kanë referuar materialet hetimore në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Lezhë në muajin gusht 2018.

Mbi bazën e këtyre materialeve, Prokuroria ka vijuar hetimet e mëtejshme, duke finalizuar operacionin “Task-Group”. Si rezultat këtij operacioni është ekzekutuar vendimi penal datë 08 Maj 2019, i Gjykatës Shkallës Parë Lezhë, e cila ka caktuar masat e sigurisë “Arrest në burg” për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës kryer në bashkëpunim”.

Gjithashtu, është ekzekutuar masa e sigurisë “Arrest në shtëpi” për veprën penale “Vjedhja e energjisë elektrike dhe impulseve elektrike” ndaj shtetasit M. N., 64 vjeç, banues në Lezhë, pronar i një subjekti privat, Hotel në Shëngjin.

Punonjësit e kompanisë OSHEE, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, nëpërmjet shpërdorimit të detyrës, kanë lejuar vjedhjen e energjisë elektrike nga subjekti privat hotel, në pronësi të shtetasit M. N., duke mos e faturuar për energjinë e konsumuar, rast i cili ka sjell dëm ekonomik për kompaninë. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Lezhë për veprime të mëtejshme.