Prokuroria Themelore në Gjilan, të shtunën ka ndaluar një zyrtar policor nën dyshimin për bixhoz të paligjshëm dhe mashtrim, njofton Insajderi.
Siç bën të ditur prokuroria përmes një komunikate për medie, zyrtari policor me inicialet B.R., është ndaluar rreth orës 13:50 në stacionin policor në Gjilan.
“Në bashkëpunim me Inspektoratin Policor të Kosovës, rreth orës 13:50 minuta, prokuroria ka ndaluar të pandehurin B.R., zyrtar policor në Stacionin Policor në Gjilan, për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprat penale ‘Organizimi i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm’ dhe ‘Mashtrimi’, të Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftim.
Gjatë bastisjes, në shtëpinë e të pandehurit në fshatin Përpelnicë, janë gjetur dhe sekuestruar: “Një telefon Samsung, një kartelë Vala, një kartelë Ipko, një tabletë i markës Lenovo, një kompjuter i markës HP, si dhe një USB”.
I dyshuari është dërguar në ndalim, në kohëzgjatje prej 48 orëve./Insajderi.com