Ndarja e buxhetit për zgjedhjet në Podujevë, përplasë Bislimin dhe Hotin

Ndarja e buxhetit për zgjedhjet në Podujevë, përplasë Bislimin dhe Hotin

Pas votimit për  alokimin e mjeteve që i duhen KQZ-së për mallra dhe shërbime për zgjedhjet që do të mbahen në Komunën e Podujevës, Ministri i Financave, Besnik Bislimi është ankuar për shumën që e ka kërkuar KQZ-ja derisa ka kërkuar që të mos votohet edhe për mëditjet e tyre, siç është kërkuar.

Mirëpo këtë nuk e ka pëlqyer zv.kryeministri Avdullah Hoti, i cili i është përgjigjur Bislimit duke i thënë se qeveria duhet të kujdeset që të mos jep kualifikime që mund të jenë të pabazuara.

“Zgjedhjet janë bërë me e zgjedhë kryetarin e komunës jo me i pasuru KQZ-në, është skandaloze kërkesa me e bo 60% mëditje, do të ketë zgjedhje një ditë jo 3 muaj. Parja publike duhet të shfrytëzohet si nikoqirllëk”, tha Bislimi teksa propozoi që të refuzohet si e pabazuar edhe kërkesa e PZAP-it për punë jashtë orarit, 18 mijë euro.

Hoti, i tha Bislimit se ata e kanë obligim që të kujdesen që çdo cent që ndahet për KQZ-në të shpenzohet sipas rregullativës.

“Të kujdesemi si qeveri që asnjëherë të mos japim kualifikime që mund të jenë bindje tona personale, por, që mund të jenë të pabazuara. Ju e keni obligim, duhet të kujdeseni që çdo cent që ndahet për KQZ-në të shpenzohen sipas rregullativës, ju duhet të kujdeseni se si po shpenzohen këto mjete”, theksoi Hoti.

Bislimi iu përgjigj Hotit duke i thënë se si ministër nuk do të lejojë askënd që të keqpërdor me paranë publike.

“Për aq kohë sa jam unë ministër nuk kam me leju që dikush me e keqpërdorë. Unë nuk e di qysh ka qenë praktika më herët, propozimi im që kërkoj që të votoni është që të alokohen mjetet për mallra dhe shërbime jo për mëditje shtesë”, ka deklaruar ai./ Insajderi.com