Ndërkombëtarët thirrje politikës: Mos ndërhyni në Gjykatën Kushtetuese

Ndërkombëtarët thirrje politikës: Mos ndërhyni në Gjykatën Kushtetuese

Gjykata Kushtetuese është jofunksionale që nga java e kaluar për shkak se Kuvendi ka dështuar t’i votojë brenda afatit tre gjyqtarët vendorë, të cilët do t’i zëvendësojnë ndërkombëtarët.

Nga 9 gjyqtarë sa do të duhej të ishin, në Kushtetuese kanë mbetur vetëm katër – Arta Rama, Bekim Sejdiu, Gresa Caka dhe Selvete Gërxhaliu.

Të martën mandati u ka skaduar edhe dy anëtarëve nga radhët e komuniteteve pakicë- Ivan Cukaloviq dhe Altay Suroy.

Në vend të tyre janë zgjedhur Radomir Laban dhe Bajram Latifi, por të cilët nuk mund të nisin punën pa u dekretuar nga presidenti, shkruan Koha Ditore.

Sipas Kushtetutës, kuorumi në Kushtetuese nuk mund të bëhet pa shtatë anëtarë. Ndërkaq tre gjyqtarët shqiptarë, të cilët i zëvendësojnë tre të huajt që u ka skaduar mandati – nuk janë zgjedhur ende.

Vonesat në finalizimin e këtij procesi kanë nxitur edhe reagimin e diplomatëve të huaj në Kosovës. Ata i kanë bërë thirrje politikës të mos ndërhyjë në organin më të lartë – i cili është i thirrur për ta interpretuar Kushtetutën.