Ndërmarrja “Ibër-Lepenci” i ka drejtuar një reagim kryeministrit Ramush Haradinaj lidhur me deklaratat publike të ministrit të Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, i cili kishte thënë se anëtarët e bordit të kësaj ndërmarrje kanë ndarë bonuse për vete, derisa kompania ishte në krizë.
Ndërmarrja ia kujton ministrit se në respektim të Ligjit 03/L=087, nenit 7, respektivisht paragrafit 7.5, komunikimi në mes të aksionarit dhe ndërmarrje publike bëhet duke respektuar institucionin dhe ligjet që e rregullojnë këtë çështje dhe jo përmes mediave.
“N.H Ibër-Lepenc është një ndër ndërmarrjet më të suksesshme në Republikën e Kosovës falë punës profesionale, vizionit dhe angazhimit permanent të Bordit të Drejtorëve. Për afarizmin e suksesshëm të kësaj ndërmarrje jeni njoftuar edhe ju z.Lluka me rastin e vizitës që ia keni bërë N.H. Ibër-Lepenc Sh.A me datë 22 dhjetor 2017, me ç’rast keni lëshuar komunikatë në ueb-faqen e Ministrisë, duke vlerësuar lart performancën e kësaj ndërmarrjeje”, thuhet në reagim.
Aty thuhet se me iniciativën e ministrit Lluka, më datë 6 prill 2018 janë takuar në MZHE, ku është konstatuar qëndrueshmëria financiare e ndërmarrjes.
Sipas N.H. “Ibër-Lepenci”, vendimi për dhënie të bonusit ështëi bazuar në Ligjin për Ndërmarrjet Publike, përkatësisht nenet 20, 21, dhe 22 të Ligjit 03/L-087, nenin 12 të Ligjit 04/L-111 për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit nr.03/L-087 për NP, deklaratën për politikat e kompensimit për bordin e ndërmarrjes dhe zyrtarëve të ndërmarrjes për vitin 2017, dispozitat e nenit 29 të Kodit të Etikës dhe Qeverisjes Korporative për NP, Planin e Biznesit 2017, Raportin e Auditorit të Pavarur për Auditimin e Pasqyrave Financiare për vitin 2017, rekomandimin e menaxhmentit përmes KE-së për shkresën e datës 3 prill 2018, rekomandimin e Auditorit të Brendshëm shkresa e datës 4 prill 2018, rekomandimet e Komitetit të Auditimit të dala nga mbledhja e datës 6 prill 2018 dhe me rekomandimet e Komitetit për Staf dhe Shpërblime të datës 10 prill 2018.
“Vendimi për dhënie të bonusit është marrë me dt.10 prill 2018, në pajtim me bazën ligjore për këtë çështje dhe pas zhvillimit të të gjitha procedurave paraprake të parapara me normën pozitive në Republikën e Kosovës, me shumicën e votave për, dy abstenime dhe një votë kundër”, thuhet ën reagim.
Sipas ndërmarrjes, dalja në opinion e shifrës prej 4 milion e 177 mijë euro si humbje e N.H.”Ibër Lepenci” në vitin 2017 është e paqëndrueshme dhe e pabazuar.
Aty thuhet se me planin e biznesit për vitin 2017, ndërmarrja ka paraparë të hyra në shumë prej 4 milion e 266 mijë euro, kurse ka realizuar të hyra në shumë prej 4 milion e 204 mijë euro, shpenzimet operative kanë qenë në shumë prej 3 milion e 737 mijë euro dhe fitimi operativ ka qenë në shumë prej 466 mijë euro.
“Shifra prej 4.177.032 euro e paraqitur si humbje e NH “Ibër-Lepenc” është zhvlerësim dhe trajtohet si humbje nominale, duke mos pasur efekt monetar”, thuhet në reagim.
“Ndërmarrja Ibër Lepenc” e ka respektuar vendimin e ministrit Lluka me nr.012599 të datës 18.12.2017, të cilin e ka kuptuar ashtu sikurse është përmbajtja e tij, ndalesë e përkohshme dhënies së bonuseve përkatësisht paradhënieve deri në plotësimin e kushteve të parapara me ligj. Pikërisht për këtë arsye, në prag të festive të Vitit të Ri 2018, nuk janë dhënë paradhënie, të cilat bazoheshin me rastin e dhënies së bonuseve, kur të krijohen kushtet ligjore për ndarjen e tij, praktikë kjo e cila kishte qenë në këtë ndërmarrje edhe në kohën kur bashkënënshkruesi i propozim-vendimit Nazmi Zenelaj, aktualisht sekretar I përgjithshëm në MZHE, ka qenë kryesues I Bordit të Drejtorëve në Ndërmarrjen “Ibër-Lepenc”, thuhet në reagim.