Ndërpritet aksioni për ushqimin e qenve endacak – polici ndihet i fyer dhe u njëllos busti i Skënderbeut

Ndërpritet aksioni për ushqimin e qenve endacak – polici ndihet i fyer dhe u njëllos busti i Skënderbeut

Aktiviteti i disa të rinjve për të ushqyer qentë endacak është penguar nga zyrtarë të Policisë së Kosovës pasi ata filluan procedurat ndaj një të riut i cili sipas policëve kishte ofenduar Policin dhe bustin e heroit kombëtar “Skënderbeu”.

Një grup të rinjsh ishin mbledhur tek busti i heroit “Gjergj Kastrioti – Skënderbeu” për të mbledhur ushqim për qentë endacak të cilëve do t’ua shpërndanin nëpër vende të ndryshme ku ata qëndrojnë gjatë dimrit,  kur Policia e Kosovës u afrua për të pyetur për aktivitetin.

Gjithçka shkoi në rregull përderisa policë të patrullës së Policisë së Kosovës, i sugjeruan të rinjtë që të “mbledhin qentë e ti dërgojnë në strehimore”. Në këtë moment një nga vullnetarët e këtij aksioni, Premton Zogiani, filloi të flasë me një nga policët, por komunikimi nuk shkoi ashtu siç duhet.

“Qentë nuk janë policë për të na sulmuar”, tha Zogiani.

E kjo nuk i pëlqeu fare policit, i cili thirri një patrullë tjetër për të sqaruar gjendjen.

Insajderi ishte aty për të përcjellë aktivitetin e dërgimit të ushqimit për qentë endacak, dhe ka xhiruar shumicën e ngjarjes.

Në një moment, Polici duket i shqetësuar edhe për faktin se “grumbullimi i ushqimit të qenve po bëhet tek busti i heroit kombëtar”.

“Qetu bukë nuk guxojnë me qit, ushqim të qenve se s’ma ban ftyra te ky bust me qit…”, thotë një nga policët.

“Është edhe çështje ligjore se nuk guxon ta njollosësh bustin”, dëgjohet teksa arsyetohet një tjetër polic që kërkon të dijë për cilën media punon gazetari.

E kur patrulla tjetër e Policisë vjen në vendngjarje, policia kërkon të dijë nga vullnetarët e “Të bashkuar për kafshët” që të japin llogari nëse janë grup i ndonjë organizate apo të pavarur.

“Çfarë organizimi, a jeni shoqatë apo të pavarur”, pyet polici një tjetër vullnetar.

“Jemi grup i shoqërisë që kemi dalë të ushqejmë qentë endacak”, përgjigjet një nga ta.

E pas kësaj, Policia filloi të kërkojë letërnjoftimet e vullnetarëve. Asnjëri nga ta nuk e kishte letërnjoftimin me vete e kjo ka bërë që një nga policët, të jap një urdhër.

“Kush nuk ka letërnjoftime të gjithë me mua në stacion”, shihet teksa urdhëron një Polic.

“Për qeta unë e boj një raport special”, dëgjohet teksa thotë polici që ndihej i ofenduar ndaj fjalëve të të riut.

Por asnjë nga ta nuk kanë përfunduar në stacion. Agron Burovci nga Policia e Kosovës, i tha Insajderit, pas ngjarjes, se Policia nuk ka hapur ndonjë rast për atë që e quajti “një keqkuptim mes policëve dhe të rinjve”.

E gjatë kohës së këtij “keqkuptimi” Policia dhe vullnetarët “keqkuptohen” edhe për një tjetër gjë.

Në një moment Zogiani i jep një tjetër vullnetari shenjën “drejtësipërAstritin” e kjo ngjallë dyshime tek policët se ajo mund të jetë diçka tjetër.

Tek busti më pas kanë dalë edhe vullnetarë të tjerë të cilët kanë kërkuar që të dinë se mbi bazën e cilit ligj po pengohet ky aksion. Por gjithçka ka përfunduar me largimin e Policisë teksa vullnetarët e tjerë janë shpërndarë në misionin e tyre për të ushqyer qentë endacak. /Insajderi.com