Ndërpritet gjendja emergjente në Deçan

Ndërpritet gjendja emergjente në Deçan

Kryetari i Deçanit, Bashkim Ramosaj, ka njoftuar të hënën se është ndërprerë gjendja emergjente në këtë komunë, përcjell Insajderi.

Sipas njoftimit, vendimi është marrë në mbledhjen e Shtabit për Menaxhimin e Emergjencave, pasi situata ka filluar të normalizohet.

“Të nderuar qytetarë të komunës së Deçanit, pasi që gjendja në komunën tonë ka filluar të normalizohet. Sot, në mbledhjen e Shtabit për Menaxhimin e Emergjencave, morëm Vendimin për ndërprerjen e Gjendjes Emergjente në Komunën e Deçanit”, ka shkruar Ramosaj në Facebook.

Ai tutje ka falënderuar të gjithë ata që kanë kontribuuar që të tejkalohet kjo gjendje.

“Shpresoj dhe uroj që mos të kemi më kësi stuatash”.

No photo description available.

Që nga e shtuna e 10 korrikut, qindra qytetarë të Deçanit i janë drejtuar institucioneve shëndetësore me simptome të helmimit.

Dyshimet e para janë se helmimi ka ardhur nga uji i pijes.

Pas analizave të bëra në ujin e Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit “Hidrodrini” janë gjetur disa baktere./Insajderi.com