Seanca gjyqësore në rastin e njohur si “Stenta 2” është ndërprerë për shkak se në sallën ku po mbahej gjykimi në Pallatin e Drejtësisë në Prishtinë të martën është ndërprerë energjia elektrike.
Një gjë e tillë ka ndodhur derisa po dëgjohej dëshmitari Elfedin Muhaxheri.
Me akuzat e prokurorisë në rastin “Stenta 2”, janë duke u përballur 40 të akuzuar, përkatësisht, Gani Bajraktari, Nexhmi Zeqiri, Daut Gorani, Elfedin Muhaxheri, Reshat Emra, Hamza Selmani, Ismajl Avdimetaj, Sali Shala, Nehat Rexhepaj, Agron Besimi, Petrit Ademaj, Bajram Mziu, Agron Leka, Driton Miftari, Besim Guda, Mirdi Strana, Shemsedin Shabollari, Fisnik Hima, Luan Pazhari, Galina Berisha, Bajram Preteni, Lulzim Kamberi, Faik Shatri, Ejup Pllana, Florim Sadiku, Halim Halili, Agim Krasniqi, Hajdin Çitaku, Edmond Haliti, Besnik Koliqi, Afrim Poniku, Banush Gashi, Nebih Musliu, Dardan Koqinaj, Xhevdet Krasniqi, Lazër Prekpalaj, Rexhep Manaj, Kelmend Pallaska dhe Arlind Batalli.
Në këtë rast, të përfshirë kishin qenë edhe ish-ministri i Shëndetësisë (MSH), Ferid Agani, ish-sekretari i MSH-së, Gani Shabani dhe 11 të akuzuar të tjerë, mirëpo, rasti ishte veçuar në tri pjesë në shqyrtimin fillestar, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Të akuzuarit në rastin “Stenta 2”, ngarkohen nga PSRK-ja me veprat penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar dhe marrje ryshfeti.
Sipas aktakuzës së PSKR-së, ekziston dyshimi i bazuar mirë se nga 1 janari 2011 e deri më 31 dhjetor 2015, duke vepruar në bashkëkryerje nga pozita e mjekëve në SHSKUK, kanë keqpërdorur pozitat dhe autoritetin e tyre zyrtar, në atë mënyrë që duke i tejkaluar kompetencat e tyre si anëtarë të komisioneve konziliare të Klinikës së Kardiologjisë, me dashje dhe dijeni ua kanë lëshuar letrat referuese për trajtim jashtë institucioneve publike shëndetësore së paku 233 persona edhe pse të njëjtit i kishin kryer trajtimet mjekësore.
Sipas aktakuzës, një gjë e tillë ishte bërë që personave në fjalë t’ua mundësonin kompensimin e shpenzimeve nga Ministria e Shëndetësisë për trajtim mjekësor në institucione private edhe pse, siç thotë aktakuza, në bazë të nenit 53 të Ligjit mbi Shëndetësinë, Nr.2004/04, të 19 shkurtit 2014 dhe neneve 16 dhe 25 të Ligjit për Shëndetësinë Nr.04/L-125 të 13 dhjetorit 2012, letrat referuese duhej t’u lëshohej pacientëve në momentin kur konstatohej se pacientët nuk kishin mundësi të trajtoheshin brenda sistemit publik shëndetësor.
Me këto veprime të të akuzuarve, PSKR pretendon se dëmi që i është shkaktuar buxhetit të Kosovës është 4,555,553.00 euro.
Po ashtu, aktakuza i ngarkon mjekët në rastin “Stenta 2” se kanë keqpërdorur pozitën zyrtare dhe kanë marrë ryshfet, ashtu që, në vend se pacientët që kanë shkuar për kontroll në institucione publike shëndetësore, t’i referonin në njësinë kompetente invazive në Klinikën Kardiologjike në SHSKUK në Prishtinë, të njëjtit pacientët i kanë referuar në spitale private dhe për këto veprimet kanë marrë ryshfet.
Sipas aktakuzës, për çdo pacientë që e dërgonin për vendosjen e stentave, merrnin nga 500 euro ryshfet, ndërsa për koronarografi merrnin nga 150 euro ryshfet.
Këto veprimet të tyre, sipas PSRK-së, të akuzuarit i kishin kryer në bashkëpunim me të akuzuarit që tashmë janë të përfshirë në rastin “Stenta 3”, ku janë kryesisht pronar e mjekë të spitaleve private./Insajderi.com