KOSOVA E SHQIPËRIA

“Ndërrimi i pushteteve s’duhet ta dëmtojë raportin Kosovë-Shqipëri”

Ministri i Jashtëm shqiptar, Gent Cakaj, mendon se Kosova dhe Shqipëria duhet t’i ruajnë raportet ndërshtetërore, pavarësisht se si ndërron përmes zgjedhjeve demokratike lidershipi i këtyre dy vendeve. Ai është i bindur se do të ketë raporte të mira me Ministren e Punëve të Jashtme të Kosovës, Meliza Haradinaj Stubllën.

“Ndërrimi i pushteteve s’duhet ta dëmtojë raportin Kosovë-Shqipëri”

​Ministri i Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Gent Cakaj, mendon se Kosova e Shqipëria duhet të ndërtojnë raporte të mira ndërshtetërore në mes vete, pavarësisht se kush zë karriget e qeverisë.

Në një intervistë dhënë për emisionin Info Magazine në Klan Kosova, ai deklaroi se pavarësisht rotacioneve të pushtetit në të dyja vendet, s’duhet të ketë lëkundje në raportet ndërshtetërore.

“Marrëdhënia Kosovë Shqipëri nuk duhet të ndikohet nga marrëdhëniet personale të politikanëve dhe nga ndryshimet e pushtetit, varësisht nga proceset demokratike”, ka deklaruar Cakaj.

Sa i përket dikasterit të tij, ai është i sigurt se do të ketë një marrëdhënie të shkëlqyer me Ministren e re të Punëve të Jashtme në Qeverinë e Kosovës.

Qëndrimin e tij përplot siguri për bashkëpunim të mirë me ministren Meliza Haradinaj-Stublla, ai e bazon në faktin se raporte shumë të mira kishte edhe me ministrat paraardhës të Haradinaj-Stubllës.

“Kam punuar mirë me Behxhet Pacollin, njëjtë me Glauk Konjufcën e tani edhe me Ministren e re të Punëve të Jashtme, Meliza Haradinaj-Stubllën”, thekson ai.

Intervista e Cakajt u dha nga Presheva, ku ai në prag të zgjedhjeve nacionale në Serbi, po qëndron atje për një vizitë treditore, në përkrahje të Koalicionit të Luginës së Bashkuar. Nga Presheva, ai bëri thirrje për përkrahje të fuqishme drejtë këtij koalicioni, sepse sipas tij kjo është në favor të shqiptarëve.

“Ju bëj thirrje të gjithëve që ta mbështesin Koalicionin e Luginës së Bashkuar, sepse kjo është ajo për të cilën kanë nevojë shqiptarët e kësaj pjese”, deklaroi Cakaj.