
Sot në orët e para të mëngjesit, pas një sëmundje të rëndë, ka ndërruar jetë publicisti dhe redaktori i Radiotelevizionit të Prishtinës, Qani Mehmeti.
Qani Mehmedi u lind më 12 mars 1953 në Dragomisht të Vogël të Kërçovës. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, gjimnazin në Tetovë kurse studimet për gazetari dhe diplomaci në Universitetin e Prishtinës ndërsa magjistroi në shkencat politike në Universitetin Ndërkombëtar të Strugës.
Punoi gazetar dhe redaktor në gazetat ”Bota e re “ dhe “Zëri i Rinisë”, redaktor në Radio Televizionin e Prishtinës, në Radio Zagreb dhe në Radio Televizionin Shqiptar. Ishte redaktor i revistës “Dituria”.
Pas luftës punoi redaktor në Radiotelevizionin e Kosovës, kryeredaktor në të përditshmen “Lajm” kurse aktualisht ishte redaktor në Radio Kosovë.
Qani Mehmeti ishte laureat i Çmimit për gazetari “Jusuf Gërvalla dhe Kadri Zeka”, Çmimit ndërkombëtar “Ballkani – zemra e Evropës”, që ndahet në Prespë, gazetar i vitit në Revistën “ Zëri i Rinisë”, punëtor i dalluar i Gazetës “ Rilindja”.
Laureat i një varg mirënjohjesh dhe shpërblimesh tjera. Ka botuar me dhjetëra kolumne editoriale, intervista në gazetat e Prishtinës Tiranës, Shkupit, Zagrebit dhe Sarajevës. Së fundi ka botuar studimin “Shtetformimi i Kosovës 1968 -2008”.
Ai kishte një arkiv të madh të trashëguar nga lidhjet, bashkëpunimet patriotike dhe miqësitë e shumta.
Varrimi i të ndjerit bëhet sot në fshatin e tij të lindjes në Drogomisht të Vogël, në Kërçovë të Maqedonisë në orën 18:00.