Ndërtimi i rrugëve lehtëson jetën e banorëve

Shkruan: Besa Kalaja

Ndërtimi i rrugëve lehtëson jetën e banorëve

Dy rrugët që po ndërtohen në dy fshatra të Komunës së Mitrovicës, në Stan Tërg dhe Kovaçicë do të jenë zgjidhje për banorët të cilët për vite me radhë kanë frekuentuar rrugët e vështira dhe plot baltë. Rajoni ku po ndërtohen rrugët është i vështirë gjatë dimrit për shkak të borës së madhe, prandaj ndërtimi i tyre është parë si mundësi për kthimin e banorëve që janë shpërngulur dhe atyre që janë aty

Komuna e Mitrovicës në korrik të vitit 2018 përmes një procesi të tenderimit u ka dhënë dy kompanive punë për ndërtimin e dy rrugëve në dy fshatra të Komunës së Mitrovicës. Projektet për ndërtimin e këtyre dy rrugëve janë kapitale dhe kushtojnë afër 1.5 milionë euro.

Kontratën për ndërtimin e rrugës në fshatin Kovaçicë e ka fituar kompania “Haxha Kom”. Vlera e përgjithshme e kontratës është 948.393,05 euro.

Kontratën për ndërtimin e rrugës në fshatin Stan Tërg e ka fituar kompania “Bageri”. Vlera e përgjithshme e kontratës është 455.555,30 euro.

Punimet në të dy rrugët kanë filluar me kohë dhe në të dyja është ndërtuar traseja e rrugës. Kontrata është nënshkruar në korrik të vitit të kaluar dhe do të përfundojë në korrik të këtij viti. Për ndërtimin e këtyre rrugëve kishte kërkesa nga banorët e këtyre fshatrave. Në Stan Tërg rruga ka qenë e nevojshme sidomos për shkak të nxënësve të cilëve u është dashur të shkojnë në shkollë duke kaluar nëpër rrugën me baltë.

Rruga tjetër ajo në Kovaçicë i cili fshat pothuajse është boshatisur, është parë më shumë si mundësi për kthimin e banorëve. Në planin strategjik ajo sipas zyrtarëve të Komunës mund të ndihmojë edhe në zhvillimin e turizmit në atë pjesë.

Për ndërtimin e këtyre rrugëve komuna ka mbajtur dëgjime publike me qytetarë dhe ato për t’u implementuar kanë marrë votën e Asamblesë Komunale.

Komuna e Mitrovicës sipas zyrtarëve të saj është treguar dhe tregohet ende shumë transparente me qytetarët e saj po edhe me organizatat dhe mediat që kanë shprehur interesim për projektet që po zhvillohen në këtë komunë. Në këtë kuadër ata thonë se edhe për rrugët shumë shpesh kanë pasur kërkesa nga banorët dhe këto projekte po realizohen në momentin që komuna ka arritur të sigurojë mjetet për ndërtimin e tyre. Për ndërtimin e këtyre rrugëve ka kontribuar edhe Ministria e Infrastrukturës.

Në këtë aspekt Komuna e Mitrovicës , është treguar transparente edhe me Preportr. Komuna u është përgjigjur të gjitha kërkesave për qasje në dokumente publike, të cilat i ka kërkuar Preportr.

Edhe në raportet e organizatave të tjera Komuna e Mitrovicës listohet ndër komunat e para në aspektin e transparencës.

Rrugët lehtësojnë jetën e banorëve

Punimet për realizimin e rrugëve në fshatrat e Komunës së Mitrovicës nuk kanë rifilluar ende, që nga vjeshta e vitit 2018, pasi në atë pjesë të Kosovës edhe në fund të prillit ende kishte borë. Ekipi i Preportr i ka vizituar rrugët dhe banorët janë interesuar se kur mund të fillojnë ato. Zyrtarët e komunës të cilët e kanë shoqëruar ekipin e Preportr interesimit të banorëve u janë përgjigjur se punimet do të fillojnë shpejt. E mira e këtyre rrugëve sipas zyrtarëve të komunës është se në to nuk ka pasur nevojë për shpronësime. Rrugët sipas kontratës ( të cilën po ashtu Preportr e ka siguruar përmes E-prokurimit) do të jenë 5.5 metra të gjëra dhe shtresa e asfaltit do të jetë 5 centimetra. Ndërtimi i rrugës në fshatin Kovaçicë në gjatësi 8650 metra dhe ndërtimi i rrugëve në Stan Tërg 2.5 kilometera ose 2500 metra.

Po ashtu kontrata përmban edhe pjesën se në cilat raste mund të shkëputet kontrata nëse punimet nuk kryhen me kohë. Gjasat sipas zyrtarëve të komunës janë që këto punime të kryhen me kohë pasi projekti përveç ndërtimit të trasesë që është kryer tashmë ka mbetur vetëm asfaltimi. Në projekt nuk parashihet ndërtimi i infrastrukturës nëntokësore dhe as ndriçimi.

Fisnik Ibrahimi nga Drejtoria për Infrastrukturë dhe Shërbime Publike në Komunë e Mitrovicës, thotë se deri tani kanë përfunduar 20 deri 30 përqind të punëve në këto dy rrugë.

“Punimet janë zhvilluar në hapjen e trasesë së rrugës, deri tani nuk kemi pasur ndonjë telashe atje, mirëpo kemi pasur kërkesa të banorëve për ndonjë rrugicë. Në përgjithësi punimet po zhvillohen mirë”, thotë ai.

Për rrugicat që po ashtu nuk parashihen në projekt, Komuna sipas zyrtarëve të saj do të shohë mundësitë buxhetore dhe në bazë të mundësive do të veprojnë.

Një intervenim që u duhet ta bëjnë sipas Ibrahimit është rregullimi i një gypi prej nga rrjedhin ujërat të cilat mund të derdhën në oborrin e shkollës dhe ta dëmtojnë rrugën e re po ashtu. Ai thotë se këtë problem do ta zgjidhin së shpejti.

“Ka qenë kërkesë e banorëve të asaj zone që të ndërtohen këto rrugë. Deri tani nuk kemi pasur kërkesa të banorëve për shpronësime, por varësisht prej kërkesave dhe mundësive ne do të veprojmë për të gjitha rastet që do të paraqiten”, thotë ai.

Ibrahimi nuk beson që do të ketë vonesa në punime. Ai thotë se ka kohë deri në korrik të këtij viti që ato të kryhen dhe moti nuk do të ketë ndikim në shtyrje të punimeve. Në ditën kur ekipi i Preportr ishte në terren në disa pjesë në rrugën në Kovaçicë kishte ende borë. Fshati ishte pothuajse i boshatisur. Ata banorë që jetojnë në atë fshat gjatë stinës së dimrit izolohen pothuajse tërësisht.

“Askush nuk e beson po ne kemi larguar borën nga rrugët në Shalën e Bajgores, përfshirë këtu edhe Kovaçicën edhe në fund të muajit prill”, thotë Ibrahimi për të shtuar se ndërtimi i rrugës përveç se do ta bëjë më të lehtë jetesën për banorët, ajo mund të ndikojë në kthimin e atyre që janë larguar dhe në aspektin afatgjatë rruga mund të shërbej për zhvillimin e turizmit në këtë pjesë të Kosovës, pasi që ka potencial për një gjë të tillë.

“Punimet kanë filluar menjëherë pasi është nënshkruar kontrata, janë zhvilluar deri në fund të vitit, shkaku është që në këtë pjesë të Shalës së Bajgores ka pasur ende borë dhe kur të zotohen mjetet nga ministria shpresoj që kjo do të bëhet shpejt, do të zhvillohen punimet”, thotë ai. Pjesa e parë e mjeteve janë alokuar vitin e kaluar dhe të tjerat pritet të alokohen posa të krijohen kushtet atmosferike për vazhdimin e punimeve.

Mitrovica komunë transparente

Një raport i Institutit Demokratik të Kosovës (KDI), i publikuar së voni e rëndit Komunën e Mitrovicës si njërën ndër komunat më transparente në Kosovë. Sipas këtij raporti Komuna e Mitrovicës për vitin 2018 është renditur në vendin e dytë si komuna më transparente në Kosovë nga gjithsej 11 komuna.

Nga gjithsej 118 pikë, komuna e Mitrovicës ka arritur të marrë 92 pikë apo ndryshe në përqindje ka shënuar 77.97%, bazuar në 59 indikatorët e përzgjedhur nga kjo organizatë. Zyrtarë të komunës thonë se komuna mbanë të gjitha dëgjimet publike që janë të parapara me ligj ndërsa që thonë se qytetarët duhet të jenë më aktiv dhe të marrin pjesë në këto dëgjime në mënyrë që të jenë pjesë e vendimmarrjes.