
Një vit burgim dhe 300 euro gjobë me kusht është dënimi të cilin ia ka shqiptuar të enjten Gjykata Themelore në Gjakovë, të akuzuarit për vjedhje, Naim Kastratit.
Sipas aktgjykimit të shpallur, të enjten, nga gjykatësi Mentor Bajraktari, dënimet me burgim dhe me gjobë nuk do të ekzekutohen nëse i akuzuari Kastrati nuk kryen vepër tjetër penale brenda periudhës verifikuese prej dy vjetësh, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Gjakovë, e ngritur më 27 mars 2018, Naim Kastrati po akuzohet se më 25 tetor 2014, rreth orës 10:25, në rrugën “Mark Malota”, në Gjakovë përball objektit “Jatex”, me qëllim përfitimi të kundërligjshëm për vete apo personin tjetër, tjetrit ia merr pasurinë e luajtshme.
Rasti kishte ndodhur në atë mënyrë që i pandehuri në objektin e “Jatex” kishte këputur me sëpatë kabllon e rrymës, të cilën më pas e kishte djegur, e cila ishte në një sasi prej pesë kilogram alumin, me ç’rast të dëmtuarës i ka shkaktuar dëme materiale në shumën e përgjithshme prej 200 eurosh.
Por, dënime të tilla ende mungojnë për zyrtarët e lartë shtetërorë, që akuzohen për korrupsion. Në shumicën e rasteve, ndaj tyre ishin shqiptuar dënime me kusht, ose me dënime me gjobë.
Madje, këso dënime kishte pasur edhe në raste të rënda, si: keqpërdorim i pozitës zyrtare dhe korrupsion, shkruan Insajderi.
Në nëntor të vitit të kaluar, Gjykata Themelore e Prishtinës e kishte gjetur fajtor dhe e kishte dënuar me 6 muaj burg ish-zëvendësministrin e Ministrisë së Zhvillimit Rajonal, Musa Cena. Me gjithë këtë, Cena nuk ka shkuar asnjë ditë të vetme në burg pasi që është pajtuar që dënimi i tij të kthehet në dënim me gjobë në lartësi prej 5 mijë euro.
Sanksion më i butë i ishte shqiptuar të akuzuarit tjetër të këtij rasti, Nusret Shala, po ashtu i akuzuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare të cilit i ishte shqiptuar dënimi në shumë 4 mijë euro.
Ndërkaq, vitin e kaluar, pas një procesi të stërzgjatur gjyqësor ish-kryetari i Komunës së Prizrenit, Ramadan Muja ishte dënuar 2 vjet burgim me kusht që ai të mos kryejë vepra të tjera penale gjatë 3 vjetëve të ardhshëm.
Ai ishte akuzuar nga EULEX-i për keqpërdorim të detyrës zyrtare bashkë me pesë zyrtarët komunalë. Edhe pesë zyrtarët e tjerë në këtë rast, u patën dënuar me kusht.
E për keqpërdorim të detyrës zyrtare, ishte dënuar me kusht ish-rektori i Universitetit të Prishtinës, Enver Hasani.
Hasani ishte dënuar me 1 vit burg me kusht për dy vjet verifikim nga Gjykata Themelore në Prishtinë në lidhje me kontratën për përkthimin e librave nga anglishtja në shqip për universitetin e Prishtinës.
Sipas aktakuzës së prokurorës Drita Hajdari, ISN siguroi një përfitim të kundërligjshëm financiar prej 70 mijë eurove gjatë përkthimit të librave, pas ndryshimit të kontratës që në vend të çmimit 12.65 euro për 1000 fjalë, ishte shënuar çmimi 12.65 euro për 1000 karaktere.
Por, dënimi më kusht ndaj Hasanit është vetëm një vazhdimësi e dënimeve të buta që organet e drejtësisë po i praktikojnë kryesisht ndaj njerëzve të politikës dhe zyrtarëve të institucioneve publike.
Gjykata themelore në Prishtinë pati dënuar me nga 10 muaj me kusht edhe ish-ministrat e Kulturës , Astrit Haraqija dhe Valton Beqiri. /Insajderi.com