Ndihmat ruse arrijnë në Vushtrri

Ndihmat ruse arrijnë në Vushtrri

Rusia ka filluar aksionin e ndihmave për fëmijët serbë në Kosovë të fshatrave në jug nëpërmes Kishës së Graçanicës.

Përfaqësuesit serbë të fshatrave ndihmën ua atribuojnë “lidhjeve të thella” që serbët e Kosovës kanë tradicionalisht me Rusinë. Ndërsa shqiptarët vlerësojnë se Rusia në këtë mënyrë po futet gjithnjë e më thellë në brendi të Kosovës me qëllime të caktuara.

Disa organizata humanitare të Rusisë, të cilat veprojnë në veri të Kosovës e për të cilat vlerësohet se nuk merren vetëm me ndihma humanitare, kanë shtrirë aktivitetin e vet edhe në jug të vendit.

Rusët kanë “mbërritur” edhe në Vushtrri, në dy fshatrat me shumicë serbe, Gojbulë e Sllatinë, të cilat me Gracën e Prelluzhën e përbëjnë komunën serbe të Vushtrrisë, e cila qeveriset nga i ashtuquajturi Organ i Përkohshëm i Vushtrrisë, një komunë paralele e instaluar nga Qeveria e Serbisë.

Ndihmat e mbledhura në Rusi, siç thuhet në një njoftim të Kishës së Graçanicës, i shpërndanë në të gjitha mjediset me shumicë serbe në jug të vendit igumenia e Kishës së Graçanicës, dr. Irina Petroviq, shkruan “Zëri”.

Para se përfaqësuesit e Kishës së Graçanicës t’i vizitonin banorët serbë të Gojbulës e të Sllatinës së Vushtrrisë, një gjë të tillë e kanë bërë në Gorazhdevc të Pejës.

Përfaqësuesit e këtyre fshatrave ndihmat me para të gatshme të ardhura nga Rusia ua atribuojnë, siç kanë thënë, “lidhjeve të thella që kanë serbët e Kosovës me shtetin vëlla të Rusisë, i cili përkujdeset edhe për mirëqenien e banorëve serbë të Kosovës”.