“Ndikimi i grupeve të caktuara dhe të fuqishme”, fjalia që shkaktoi përplasje mes PDK-së e VV-së në Komisionin hetimor të privatizimit

“Ndikimi i grupeve të caktuara dhe të fuqishme”, fjalia që shkaktoi përplasje mes PDK-së e VV-së në Komisionin hetimor të privatizimit

Partia Demokratike e Kosovës ka insistuar që të hiqet fjalia “ndikimi i grupeve të caktuara dhe të fuqishme” tek pika e fushëveprimit të komisionit hetimor lidhur me procesin e privatizimit në Kosovë.

Sipas tyre, kështu po dëmtohet procesi hetimor i komisionit., gjë me të cilën nuk janë pajtuar edhe anëtarë të Lëvizjes Vetëvendosje. Sipas tyre, insistimi për heqjen e kësaj fjalie, tregon se të njëjtin mund të kenë “mizën pas veshi”.

Deputeti nga radhët e PDK-së, Gazmend Bytyçi, ka kërkuar që të mos dëmtohet puna e komisionit me paragjykime të tilla, meqë sipas tij, dëmton akuzën mbi bazën e komisionit të formuar me kërkesë të PDK-së.

“Mos ta dëmtojmë punën e komisionit në këtë drejtim, mos t’i japim qysh në start të punës tonë ngjyrimin e hetimeve të ndikimeve të grupeve të fuqishme. Ne absolut jemi në vijën e asaj që kemi kërkuar që të iniciohet ky komision parlamentar në arsyeshmërinë. Pretendojmë që kjo pjesë dëmton atë akuzën për të cilën ne kemi ngritur këtë çështje”, tha ai.

Edhe anëtari i komisionit, Sejdi Hoxha ka insistuar që të hiqet termi “ndikimi i grupeve të caktuara të fuqishme”, sepse sipas tij është paragjykim i dëmshëm.

“Unë po insistoj që të hiqet termi ‘ndikimet e grupeve të caktuara dhe grupeve të fuqishme’ sepse është paragjykim dhe supozim i dëmshëm që me një mënyrë mundet me prish procesin.. as unë nuk po e di kë po e paragjykon. Kur themi ndikimi që patën grupet e fuqishme, ku po e dimë ne a kanë pasur ndikim, a nuk kanë pasur ndikim”, ka shtuar ai.

Ndërkaq, nga Lëvizja Vetëvendosje thonë se insistimi I tillë tregon se PDK, e ka “mizën pas veshi”.

“Nuk po e paragjykojmë që është dikush. Bile a po do me të thënë të drejtën Sejdi, fakti që e keni iniciuar eliminimin e kësaj fjalie, i bie sikur ti e paske ‘një mizë pas veshi’ që po do me heq. Unë e di që nuk e ke, prandaj le. Se asgjë nuk po të bën dëm. Nuk po thotë as PDK, as kush tjetër. Veç fakti që po lyp të hiqet është keq, është për mu problematike kjo ‘hiqeni fjalën grup i fuqishëm sepse po mendoni që sikur ne’. Jo bre nuk po mendon askush, nuk po mendojmë hiç”, ka thënë deputeti I VV-së, Liburn Aliu. /Insajderi.com/