Ndikimi i Listës Serbe në zgjedhje – i rrezikshëm për demokracinë dhe në kundërshtim me Kushtetutën

Ndikimi i Listës Serbe në zgjedhje – i rrezikshëm për demokracinë dhe në kundërshtim me Kushtetutën

Dyshimet se iniciativa e Adriana Hoxhiqit është rritur për shkak të ndikimit të Listës Serbe, po shihen të rrezikshme për demokracinë e vendit dhe në kundërshtim me Kushtetutën, transmeton Insajderi.

Drejtori ekzekutiv i Institutit të Kosovës për Drejtësi, Ehat Miftaraj, thotë se loja e Listës Serbe me parti të caktuara cenon rendin kushtetues në Kosovë.

“Një lojë politike mes Listës Serbe me parti të caktuara, qoftë boshnjake, qoftë rome e cenojnë në rend të parë rendin kushtetues të Republikës të Kosovës, i cenojnë parimet bazë me të cilat Republika e Kosovës përmes Kushtetutës iu garanton komuniteteve joshumicë në Kosovë të drejtën për t’u përfaqësuar nga përfaqësues legjitim, që pasqyrojnë interesin, vullnetin e komuniteteve joshumicë në Kosovë. Me vet faktin që përfaqësues të komunitetit boshnjak marrin mijëra vota nga serbët, kjo me të vërtetë është devijim i vullnetit të interesit të boshnjakëve, është jopërfaqësim efektiv dhe adekuat i interesave të tyre”, thotë ai, raporton KP.

Ai deklaron se kjo paraqet rrezik për demokracinë dhe minon parimet kushtetuese.

Njohësi tjetër i çështjeve kushtetuese, Mazllum Baraliu, thotë se opinioni publik por edhe Qeveria e Kosovës duhet të reagojnë në mënyrë që të pengojnë këtë lojë të rrezikshme të dirigjuar nga Beogradi përmes Listës Serbe për ndikim në Kosovë.

“Do të duhej të ngrihej zëri edhe i opinionit publik, edhe i këtyre komuniteteve, sidomos i qeverisë, haptazi ata po heshtin, që të reagojnë, ato janë të papranueshme dhe t’i pengojnë përmes institucioneve dhe hallkave institucionale të ndërhyhet aty ku është bërë, sepse është e qartë se ajo ka marrë më shumë vota të komunitetit serb në Partesh e në komuna në Partesh e në komuna ku nuk ka asnjë boshnjak sesa të tjerët, që është një lojë politike e lozur dhe dirigjuar nga Beogradi. Dhe, po, mund ta rrezikojë që kur të ndodh ndonjë çështje të ngritët në Kuvend nga një qeveri, e cila e ka shumicën, kot do ta ketë sepse kur bëhet votimi i dyfishtë, votimi i shumicës 2/3, votimi i 2/3 të pakicave, në fakt Lista Serbe… po del kundër interesave të Kosovës për interesa të Beogradit dhe ajo do të mund ta pengonte çdo iniciativë”, thotë ai.

Kurse,Florent Spahija nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) thotë se çështja e komuniteteve është e rregulluar me ligj.

“Konsideroj që juridikisht qeveria duhet të sigurojë votat fillimisht për me u votu në Kuvend, dhe e dyta, për secilin ligj që është i rëndësishëm duhet të ulet dhe të ketë një bashkëpunim me secilin subjekt politik në vend. Çështja e komuniteteve është e rregulluar me Kushtetutë dhe ligj dhe votat e tyre janë të nevojshme. Mendoj që nuk kemi ndonjë nguti që çështje të tilla që nevojiten 2/3 e votave të komuniteteve janë prioritet për çështjet që duhet t’i trajtojë qeveria, së paku për këto dy vjetët e para”, thotë ai. /Insajderi.com