Uji i pijshëm në Komunën e Malishevës është ndotur si shkak i vërshimeve të ujit dhe borës, njofton Insajderi.
Ndaj Instituti Rajonal i Shëndetit Publik në Prizren u ka bërë thirrje banorëve që të mos e përdorin për pije.
“Instituti Rajonal i Shëndetit Publik në Prizren, pas analizave të bëra të ujit për pije, me kërkesën e komunës së Malishevës, për sistemet e ujësjellësve në Malishevë, ka rekomanduar që momentalisht uji të mos përdoret për pije, pasi është jashtë parametrave të lejuar, si pasojë e ndotjes nga vërshimet”, thuhet në njoftimin për media.
Tutje, bëhet e ditur se pritet që të merren masat e nevojshme për pastrimin e ujit, ndërsa komuna u bën apel edhe familjeve që përdorin ujin nga puset.
“Këshilla e njëjtë vlenë dhe për familjet të cilat furnizohen nga puset, pasi momentalisht rekomandohet të mos përdoret uji për pije, deri në një njoftim tjetër”, thuhet tutje./Insajderi.com