
2019-ta ishte vit me plot probleme e sfida për institucionet kosovare.
Si rëndom, në rastet e dështimit apo problematikave më të mëdha, fokusi kryesor është në ministritë që janë kompetente për zgjidhjen e tyre, shkruan lajmi.net.
Edhe ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor gjatë këtij viti pati plot çështje për të cilat është dashur plan i veçantë për rrugëdalje nga to.
Ndotja e ajrit është njëra ndër çështjet kryesore, si problematikë e cila po përsëritet çdo vit.
Sa herë që ulen temperaturat në Kosovë, ndotja e ajrit shënon nivele shqetësuese, ndërsa jo rrallë herë Prishtina është radhitur si kryeqyteti më i ndotur në botë.
Nga MMPH për lajmi.net thonë se gjatë këtij viti dhe viteve të kaluara janë marrë disa vendime në këtë aspekt.
Ata përmendin ndalimin e përdorimit të thëngjillit si lëndë djegëse, e pastaj kërkesat e vazhdueshme për dikasteret tjera që të punohet më intensivisht në reduktimin e ndotjes së ajrit.
“Në lidhje me reduktimin e ndotjes së ajrit, si Ministri në kuadër edhe të Task Forcës Ndërministrore kemi ndërmarrë disa veprime e vendime të rëndësishme e të cilat po ndikojnë e do të ndikojnë në përmirësimin e gjendjes”, thonë nga kjo ministri.
“Përveç vendimeve që kemi marrë për ndalimin e përdorimit të thëngjillit për ngrohje në shkolla dhe në objektet e institucioneve publike, ndalimin e dhenies falas të thëngjillit për punëtorët e KEK-ut, ne kemi bërë kërkesa të vazhdueshme që ministritë e linjës të kryejnë përgjegjësitë që kanë në reduktimin e ndotjes së ajrit”, thotë nga zyra për informim e kësaj ministrie.
Si masë tjetër që përmendet nga MMPH është edhe kërkesa për zbatimin e udhëzimit administrative të nxjerra nga kjo ministri, e që ka të bëjë me ndalimin e regjistrimit të veturave që tejkalojnë normat e lejuara të shkarkimeve në ajër.
“Kemi kërkuar nga Ministria e Infrastrukturës që të zbatojnë udhëzimin administrativ që MMPH ka nxjerrë vite me parë e i cili ndalon regjistrimin e veturave që tejkalojnë normat e lejuara të shkarkimeve në ajër. Kjo ministri në qershor të këtij viti ka filluar me fazën testuese të zbatimit të këtij udhëzimi mirëpo kjo fazë duhet të përfundojë dhe ky udhëzim duhet urgjentisht të fillojë së realizuari dhe kjo do të përmirësojë dukshëm gjendjen pasi që veturat e sidomos ato të vjetra janë një nga ndotësit më të mëdhenj të ajrit”, thonë nga MMPH.
Si investimi më i madh që përmendet nga MMPJ është ndërrimi i filtrave të Termocentralit “Kosova B”, projekt ky që do të kushtojë 78 milionë euro.
Gjithsesi, këto investime janë më afatgjate dhe pritet të marrin kohë.
“Investimi më i madh që tani po ndodhë në reduktimin e ndotjes së ajrit është ndërrimi i filtrave të TC “Kosova B”, projekt ky i cili financohet nga BE dhe do të kushtojë 78 milion euro. Investimet në fushën e reduktimit të ndotjes së ajrit janë shumë të kushtueshme dhe marrin kohë, sepse problemi i ndotjes së ajrit është problem i trashëguar dhe si i tillë vështirë të tejkalohet shpejtë”, thotë Leutrim Sahiti, zëdhënës në MMPH.
Po ashtu, ai përmend edhe investimet me përkrahjen e donatorëve, që kanë të bëjnë me informimin dhe vetëdijesimin e qytetarëve për ndotjen e ajrit.
“Investime me përkrahjen e donatorëve si:JICA, BE, MCC, BB, UNDP, Qeveria Franceze etj, kemi bërë e po bëjmë edhe në rrjetin e monitorimit dhe raportimit të të dhënave, në mënyrë që qytetarët të jenë të informuar drejtë dhe po ashtu jemi duke punuar edhe në fushën e vetëdijesimit të qytetarëve sepse edhe ne si qytetarë në një apo formë tjetër i kontribuojmë ndotjes së ajrit”, thotë ai.
Gjobat për ndotjen e ajrit dhe mjedisit
MMPH gjatë këtij viti pati punë me personat e papërgjegjshëm që kontribuuan në ndotjen e ajrit.
Në 2019-ën u dhanë shumë gjoba, më pas u konfiskuan një sasi të konsiderueshme e thëngjillit që shitet në mënyrë ilegale.
“Sa i përket ndotjes që vjen nga thëngjilli, si Ministri së bashku me KPMM kemi konfiskuar sasi të thëngjillit që shitet në mënyrë ilegale, e të nxjerrë ilegalisht. Mirëpo për këtë përgjegjës është KPMM sepse ky Komision duhet të ndaloj në burim këtë problem”, thonë nga MMPH.
Gjithsej në 2019 u dhanë 1 mijë e 500 gjoba për këto shkelje.
“Në lidhje me gjobat që janë dhënë për ndotësit e mjedisit brenda këtij viti janë dhënë rreth 1500 gjoba sipas udhëzimit administrativ për ndëshkime me gjoba mandatorë. Pos kësaj Inspektorati jonë për shkelje më të mëdha ka aplikuar edhe dënime tjera dhe inicime në gjykatë”, thuhet në përgjigjen e MMPH-së.
Plani i jashtëzakonshëm i MMPH-së për problematikat e tilla
Nga ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor thonë se kanë një plan të veprimit për cilësinë e ajrit.
Ata nuk e hedhin krejtësisht mundësinë që nëse vazhdon një gjendje e tillë e ndotjes së ajrit, të ndalohet thëngjilli edhe për ekonomitë familjare.
Megjithatë, vënë theksin se çdo vendim që merret, do të jetë në kujdes të plotë dhe koordinim me të gjitha palët.
“Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor ka hartuar planin e veprimit për cilësinë e ajrit, i cili është miratuar në Qeveri. Në rast se përkeqësohet gjendja dhe situata alarmohet atëherë ne si Ministri së bashku edhe me Task Forcën ndërministrore do të shqyrtojmë mundësit tjera për reduktimin të ndotjes, duke përfshirë ndalimin e përdorimit të thëngjillit edhe në ekonomi familjare apo duke reduktuar lëvizjen e makinave në lagje të caktuara të Prishtinës. Çdo masë që do të ndërmerret do të vendoset me kujdes dhe në koordinim me të gjitha palët”, thuhet në përgjigjen e ministrisë së Mjedisit për lajmi.net.
Prishtina si qyteti më i ndotur, në të ardhmen sipas MMPH-së do të ketë zgjerim të ngrohjes solare, dhe në këtë formë sipas tyre do të ulet përdorimi i thëngjillit si lëndë djegëse për ngrohje.
“Investimet që po bëhen nga Komuna e Prishtinës, me përkrahjen e donatorëve ndërkombëtar, në zgjerimin e rrjetit të koogjenerimit apo instalimit të ngrohjes solare do të ndikojë në reduktimin e ndotjes pasi që qytetarët më nuk do të kenë nevojë të përdorin thëngjillin për ngrohje”, thotë në fund zëdhënësi i MMPH-së, Leutrim Sahiti.
Rregullimi i shtretërve të lumenjve në të gjitha komunat e Kosovës, si dhe ndërtimi i impianteve për trajtimin e ujërave të zeza, janë disa nga projektet që MMPH ka filluar gjatë mandatit të saj e që janë duke vazhduar.
Po ashtu, problemi i sigurimit të ujit të pijshëm për qytetarët e Kosovë pritet të zgjidhet me ndërtimin e hidrosistemit KIKW-Kremenatë, projekt i bashkëfinancuar me Bankën Botërore.