Në ditën e parë si kryetar i LDK-së, Abdixhiku bën homazhe te varri i ish-presidentit Rugova

Në ditën e parë si kryetar i LDK-së, Abdixhiku bën homazhe te varri i ish-presidentit Rugova

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, punën në krye të partisë do ta nisë me homazhe te varri i ish-presidentit Ibrahim Rugova, njëherësh themelues i LDK-së, përcjell Insajderi.

Lajmi është bërë i ditur nga Lidhja Demokratike e Kosovës, përmes një komunikate për medie.

“Më 15 mars 2021, në orën 11:00, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku me bashkëpunëtorë bën homazhe te varri i presidentit historik të Kosovës, dr. Ibrahim Rugova”, thuhet në njoftim.

Abdixhiku u zgjodh kryetar i LDK-së në Kuvendin e jashtëzakonshëm Zgjedhor të mbajtur të dielën, duke mposhtur dy kundërkandidatët e tij, Lutfi Haziri dhe Besian Mustafa.

Zgjedhjet në LDK u mbajtën pas dorëheqjes së Isa Mustafës, për shkak të rezultatit të dobët në zgjedhjet parlamentare të 14 shkurtit, ku kjo parti doli e treta, pas Lëvizjes Vetëvendosje dhe Partisë Demokratike të Kosovës./Insajderi.com