Në fund të marsit fillon rigjykimi ndaj ish-ministrit Aganit për rastin e njohur si “Stenta”

Në fund të marsit fillon rigjykimi ndaj ish-ministrit Aganit për rastin e njohur si “Stenta”

Pas një viti e tre muaj, Gjykata Themelore në Prishtinë ka caktuar datën për fillimin e rigjykimit për rastin e njohur si “Stenta”. Rigjykimi ndaj ish-ministrit të Shëndetësisë, Ferid Agani dhe ish-sekretarit, Gani Shabani do të fillojë më 23 mars të këtij viti.

Zyrtarja për informim në Gjykatën Themelore në Prishtinë, Mirlinda Gashi, ka konfirmuar për Insajderi-n se gjyqtar është caktuar Kujtim Krasniqi.

“Ju njoftojmë se seanca e shqyrtimit gjyqësor për rastin ku të akuzuar janë F.A. dhe G.SH. është caktuar të mbahet me datë 23 mars 2021 në ora 09.30, gjyqtar i kësaj çështje është gjyqtari Kujtim Krasniqi”, ka thënë Gashi.

Ish-ministri Ferid Agani dhe ish-sekretari i përgjithshëm i Ministrisë, Gani Shabani, akuzohen në këtë rast për keqpërdorim të pozitës zyrtare.

Të akuzuar për ketë rast janë mbi 50 persona mirëpo me qëllim të optimalizimit të procedurës ishte veçuar procedura ndaj ish-ministrit dhe ish-sekretarit të Ministrisë së Shëndetësisë.

Ish-ministri Agani dhe Gani Shabani akuzohen se kanë vepruar në kundërshtim më Ligjin për Prokurimin Publik dhe udhëzimet administrative të Ministrisë së Shëndetësisë,  duke lejuar pagesat për trajtimin e pacientëve jashtë institucioneve publike shëndetësore për periudhën 2011 -2015.

Prokuroria pretendon se ata i kanë mundësuar përfitim financiar spitalit privat “IMH” në shumë prej 4,050,958.00 euro dhe spitalit privat “EDA” në shumën prej 504,595.00 euro, apo të dyja spitaleve në shumë të përgjithshme prej 4,555,553.00 euro, duke e dëmtuar buxhetin e Kosovës./Insajderi.com