Dhomat e Specializuara kanë njoftuar se Trupi Gjykues ka nxjerrë udhëzimet fillestare lidhur me kryerjen e procedurave në gjykimin e Salih Mustafës, përcjell Insajderi.com.
Përmes njoftimit, bëhet e ditur se sipas udhëzimeve gjatë muajve shtator dhe tetor do të mbahen 13 seanca.
“Trupi Gjykues i nxori udhëzimet e tij fillestare lidhur me kryerjen e procedurave në gjykimin e Mustafës, sipas të cilave seancat do të mbahen gjatë muajve shtator dhe tetor, si vijon: 20-24 shtator, 27-28 shtator, 4-6 tetor dhe 12-14 tetor”, thuhet më tej në njoftim.
Po ashtu, bëhet e ditur se Zyra e Prokurorit të Specializuar do të ketë kohë 87 orë për paraqitjen e provave të saj, ku edhe do të thërras 16 dëshmitarë, 15 prej të cilëve do të dëshmojnë drejtpërdrejt.
“Për marrjen në pyetje të secilit dëshmitar të ZPS-së, Mbrojtjes dhe përfaqësuesit të viktimave do t’u caktohet përkatësisht 50 për qind dhe 25 për qind e kohës faktike të përdorur nga ZPS-ja për marrjen në pyetje të secilit dëshmitar. Vendimin dhe më shumë detaje mund t’i gjeni këtu”, thuhet nga Dhomat e Specializuara.
Ndryshe, Salih Mustafa, është arrestuar më 24 shtator të vitit të kaluar, pasi akuzohet për krime lufte./Insajderi.com