Në Greqi sekuestrohen 1.8 ton drogë nga Shqipëria

Në Greqi sekuestrohen 1.8 ton drogë nga Shqipëria

Një  sasi prej 1.831 kilogramë kanabis është sekuestruar mëngjesin e së premtes nga roja bregdetare greke në hapësirën detare në perëndim të ishullit Kythira, në jug të Pelopinezit.

Sipas Antidrogës greke, lënda narkotike ishte ngarkuar në 84 pako dhe ishte vendosur në një skaf 20 metra të gjatë me flamur italian, në të cilin ndodheshin dy shtetas, një italian dhe një shqiptar, të cilët u arrestuan në flagrancë.

Për arsye hetimore, emrat e të arrestuarve nuk janë bërë publikë. Skafi ishte marrë me qera prej shtetasit italian një muaj më parë dhe ishte nisur nga Napoli i Italisë.

Pasi kishte kaluar në brigjet shqiptare, mjeti ishte ngarkuar me kanabis e në vazhdim, nëpërmjet ngushticës së Korfuzit vazhdoi itenerarin e tij në drejtim të ishullit Mikonos, ku dhe do të dorëzonte ngarkesën, vlera e së cilës llogaritet më shumë se 2 milionë euro.

Për të mos rënë në sy, skafi i trafikantëve ruante shpejtësi kostante kroçere, prej 15-18 milje detare dhe gjatë dy ditëve të fundit kishte shmangur ankorimin në ndonjë port të Greqisë.

Burime policore thanë se autoritet greke kishin informacion për transportimin e lëndës narkotike ndaj dhe monitorinin lëvizjet e skafit, që në momentin e nisjes së tij nga Napoli.

Lënda narkotike u shkarkua dhe u peshua në portin e Neapolit, në Peloponez, ndërsa hetimet janë marrë në dorë nga Prokuroria e Athinës. Dy të arrestuarit do të dërgohen në Gjykatën e Athinës për masë sigurie paraditen e së shtunës.