Në hall me minjtë në spital

Në hall me minjtë në spital

Në Repartin e Gjinekologjisë të Spitalit Rajonal të Ferizajt janë shfaqur minjtë. Në një videoincizim të një lehone, të postuar në rrjete sociale, miu shihet teksa lëviz në njërën nga dhomat ku qëndrojnë fëmijët e porsalindur.

Një gjendje të tillë e ka konfirmuar për gazetën edhe ushtruesi i detyrës së drejtorit të Spitalit Rajonal në Ferizaj Bejtush Jaha. Por, fajin për këtë gjendje, Jaha e ka drejtuar nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik, shkruan sot Koha Ditore.

“Muajin e kaluar e kam bërë kërkesën e fundit drejt Institutit të Shëndetit Publik për Derratizim dhe Dezinfektim të objektit, mirëpo nuk është shqyrtuar ende. Në anën tjetër objekti i Spitalit është shumë i vjetruar, prandaj edhe në raportet tona të vazhdueshme e kemi ngritur këtë shqetësimin, sepse shkaku i objektit të vjetër i cili ka një kosto mjaft të lartë të mirëmbajtjes, po ndodhin edhe këto fenomene negative. E kam dëgjuar nga stafi se ka insekte të tilla të cilat po hyjnë nga jashtë shkaku i objektit të vjetër, mirëpo nëse menaxhmenti i Spitalit nuk do t’i bënte kërkesa institutit.., për dezinfektim atëherë përgjegjësia do të mbetej tek ne”, ka thënë Jaha.

Ndërkohë, në repartin e gjinekologjisë pacientet kanë thënë se kushtet teknike në këtë spital janë mjaft të rënda.