Ne jemi kllosharë

Ata vazhdojnë të premtojnë sepse besojnë se ne jemi duke u besuar. Ata premtojnë sepse u besojnë gënjeshtrave të tyre. Të gjitha këto gënjeshtra janë bërë të besueshme si ajo gënjeshtra e viteve’90-ta kur populli besonte se pas çlirimit nga Serbia pasulin do ta hante me lugë dukati.

Ne jemi kllosharë

Tani shtëpitë tona nuk janë më vetëm tonat. Shumica i kemi hapur për gënjeshtarët.

Është kohë fushate. Është koha e tyre. Është mundësia e pafundme për të na gënjyer se brenda 3 muajsh do të lëvizim pa viza. Se do të zhduket papunësia. Se arsimin e kanë prioritet. E shëndetësinë do ta bëjnë moderne. Bile do ta bëjnë edhe ushtrinë për t’ju kundërvënë Rusisë dhe ndikimit të saj në Ballkan.

Në kulturën tonë politike, gënjeshtra është mëse e pranueshme.

Pos njërës prej partive që nuk ka pasur mundësi qeverisjeje në pushtetin qendror, të gjitha tjerat kanë ngjye kafshatën me pushtet gjatë këtyre dy dekadave. Secila prej tyre ka dhënë premtime të njëjta, e kurrë nuk i kanë realizuar.

Dhe, sërish pa fije turpi na futën në shtëpi për të na gënjyer prapë se do ta bëjnë Kosovën – Zvicër, Dubai. Se do ta bëjnë vendim më të mirë në rajon.

Ata vazhdojnë të premtojnë sepse besojnë se ne jemi duke u besuar. Ata premtojnë sepse u besojnë gënjeshtrave të tyre. Të gjitha këto gënjeshtra janë bërë të besueshme si ajo gënjeshtra e viteve ’90-ta kur populli besonte se pas çlirimit nga Serbia pasulin do ta hante me lugë dukati.

Akoma pa filluar zyrtarisht fushata, pretendentët për të marrë poste qeveritare e pozita deputetësh nuk kanë lënë cep të Kosovës pa shkelur.

Gjithandej vazhdojnë të gënjejnë. T’i përsërisin të njëjtat broçkulla.

Nuk kanë fare turp të futën në të njëjtat katunde, lagje e shtëpi dhe të bëjnë premtimet e njëjta që kanë bërë para tri vjetësh. Para 7 vjetësh. Para dhjetë vjetësh.

Populli i njëjtë, me halle të njëjta i hap sërish dyert. I qeras me kafe, çaj, raki e duhan. Tund kokën si me pohim se po beson se Kosova do të bëhet si Zvicra e Dubai, e nuk ka guxon t’ia thotë në sy se pallavrat e njëjta i ka dëgjuar edhe në zgjedhjet e kaluara.

Edhe në ato të para 7 vjetëve, para dhjetë vjetëve.

E dinë që gjatë ndejës me gënjeshtarët kanë dëgjuar vetëm gënjeshtra, por, tek pasi përcjellin gënjeshtarët, i thonë njëri-tjetrin “a e pave qysh rrejke bre”.

Mirë po na bëjnë. Se ne nuk meritojmë më shumë. Ne nuk meritojmë qeveri më të mirë. Deputetë më të përgjegjshëm. Mirëqenie. Punësim. Arsimim më të mirë. Mësues që nuk të rrahin me shkop. Mjekësi më humane.

Se të tillë jemi. “Kllosharë” siç ka thënë Ismet Beqiri.

Se ne i kemi lejuar të na gënjejnë. Se nuk ua kemi thënë troç se po mashtrojnë.

Meqë nuk e kemi bërë këtë, është mirë ta shijojmë këtë kohë fushate. T’i hapim të gjithë dyert e shtëpive. Të odave. T’i shërbejmë me çaj, kafe, raki e duhan. T’ju buzëqeshim e t’i mirëpresim. T’u themi se po u besojmë. Se do t’i votojmë. Se bashkë me ta do të gëzojmë.

As ata nuk përtojnë të na vizitojnë kudo që jemi. Të na futen edhe në dhomë gjumi, aty ku flemë, gërhasim e pordhim pas një dite të lodhshme të takimeve me gënjeshtarët.

Është kohë fushate.