Në komunat si Gjakova, Malisheva, Rahoveci, Drenasi e Suhareka, ka pasur vërshime, njofton Insajderi.
Kështu ka deklaruar ministri i Punëve të Brendshme, Agim Veliu, teksa ka kërkuar nga Agjencia për Menaxhimin e Emergjencave ta ngrisë nivelin e Gatishmërisë në Nivel Kombëtar.
“Ministria e Punëve të Brendshme, përmes AME-së, me vëmendje të shtuar po e përcjellë gjendjen aktuale të vërshimeve të pjesshme si pasojë e reshjeve të shiut”, ka shkruar Veliu në Facebook.
Ai shtoi se “AME do të koordinojë të gjitha veprimet operacionale me shtabet komunale, për të ndërhyrë aty ku është e nevojshme, por edhe për t’i ndihmuar këto shtabe si me personel ashtu edhe me mjete”.
Në rast të përkeqësimit të situatës, Veliu tha se do të informohen qytetarët. /Insajderi.com