Mbetjet mortore të shtatë deri në 20 personave janë gjetur në një lokacion në Kizhevak afër Rashkës në Serbi, njofton Insajderi.
Kështu thotë shefi i Programit për Ballkanin Perëndimor i Komisionit Ndërkombëtar për Personat e Pagjetur (ICMP), Matthew Holliday në një intervistë për REL.
“Kam biseduar me kolegët dhe ka një vlerësim se 7 deri në 20 raste të mbetjeve mortore mund të nxirren nga ky lokacion. Por, nuk mund të prejudikoj deri kur ta kemi zbuluar të gjithë varrin. Sot kam qenë në kontakt me ekipin, më kanë treguar se shtresa e sipërme është hequr nga kjo vendndodhje. Ata kanë bërë një sërë matjesh, dhe ka indikacione se ata do të hyjnë në vendin ku gjendet varri masiv të mërkurën. Pra, do të mund ta dimë se për sa raste bëhet fjalë kur varri masiv të jetë zbuluar plotësisht”, thotë ai.
Zyra për media e Qeverisë së Serbisë ka njoftuar më 30 nëntor se ka filluar zhvarrosja e këtyre mbetjeve mortore, të cilat dyshohet se janë të shqiptarëve të Kosovës, të vrarë gjatë luftës.
Ekspertët e ICMP-së po ofrojnë ndihmë mjeko-ligjore për zhvarrosjen, në lokacionin që gjendet rreth 250 kilometra në jug të Beogradit dhe sipas Hollidayt, ekipi u vendos atje në fillim të kësaj jave. /Insajderi.com