Katër komunat veriore të banuara me shumicë serbe nuk janë pasqyruar në raportin e Zyrës së Rregullatorit të Energjisë për rritjen e tarifave të energjisë elektrike.
Këtë e ka konfirmuar të martën kryesuesi i Bordit të ZRRE-së, Ymer Fejzullahu, gjatë raportimit në Komisionin për Ekonomi.
I pyetur se pse pjesa veriore e vendit nuk është përfshirë në raportin e ZRRE-së, Fejzullahu tha se për energjinë e papaguar elektrike në veri, ky institucion është paditur nga Avokati i Popullit dhe si pasojë e kësaj çështjeje gjyqësore, çmimin e rrymës së papaguar në katër komunat veriore e paguan Qeveria e KOSTT-i.
“Ajo kosto nga dhjetori i vitit 2017 është hequr apo nuk është barrë e konsumatorëve dhe ka kaluar përmes buxhetit të Kosovës, pastaj është mbuluar nga KOSTT-i dhe ZRRE-ja. Meqenëse ia ka ndaluar gjykata që ta përfshijë këtë kosto, ne nuk e kemi marrë parasysh as në kalkulimet e mëhershme meqenëse jemi në proces gjyqësor”.
Kryetari i Komisionit Ferat Shala ka pyetur kryesuesin e ZRRE se kush është autor i këtij raporti për rritjen e tarifave.
Deputeti Shala ka pyetur po ashtu se a ka bazë ligjore futja e 75 milionë euro nga qeveria për këtë rritje të tarifave.
“Ka ndërhyrje nga ana e Qeverisë në ZRRE, nuk ka bazë ligjore”, tha ai.
Pas kësaj, Fejzullahu ka thënë se autor janë ZRRE-ja dhe bordi i saj është përgjegjës.
Duke mohuar se ka ndërhyrje nga qeveria me subvencione në ZRRE, pasi sipas tij mbështetje ka pasur edhe nga qeveritë e kaluara./Insajderi.com