Agjencia inovative amerikane, MMC (Millennium Challenge Corporation) në një raport ku analizon fuqinë punëtore kosovare dhe të tjera që lidhen me gjendjen ekonomike të kosovarëve, tregon detaje nga paga mesatare mujore në Kosovë, në bazë të gjinisë dhe kualifikimit.
Raporti nxjerr në pah se në Kosovë gratë paguhen gjithmonë më pak sesa burrat.
Totali i pagës mesatare mujore është 340 euro, me një mesatare prej 353 euro për burrat, dhe 289 euro për gratë.
Diferenca ndërmjet pagës mesatare të burrave dhe grave me kualimikim shkollën fillore është 102 euro: 277 euro për burrat, 175 euro për gratë.
Paga mesatare e grave që kanë mbaruar shkollën e mesme të lartë është 267 euro, 80 euro më pak sesa paguhen mesatarisht burrat me të njëjtin shkollim (347 euro).
Gratë që kanë kryer shkollimin universitar (fakultetin/bachelor) paguhen mesatarisht 377 euro në muaj, ndërsa burrat me të njëjtin shkollim marrin mesatarisht 434 euro pagë mujore.
Për gratë dhe burrat që përfundojnë magjistraturën ka më pak diferencë në pagën mesatare. Në këtë nivel, burrat paguhen mesatarisht 36 euro më shumë sesa gratë. 504 euro për burrat, 468 euro për gratë.
Por diferenca më e madhe ndërmjet pagës mesatare të burrave dhe grave është ajo pas studimeve të doktoraturës. Në këtë nivel gratë paguhen mesatarisht 376 euro më pak sesa burrat, të cilët nuk kanë asgjë më shumë në aspektin e shkollimit. 1057 është paga mesatare e burrave me këtë nivel shkollimi, ndërsa 681 euro në muaj paguhen mesatarisht gratë që kanë përfunduar doktoraturën.
Raporti tregon edhe për pagën mesatare të kosovarëve në bazë të llojit të punës që kryejnë. Në këtë aspekt, sipas raportit, puna në organizata joqeveritare është më e paguara, me mesatarisht 789 euro në muaj.
Korporata e Sfidës së Mijëvjeçarit (MCC) është një agjenci inovative e pavarur, e krujuar nga Kongresi i SHBA-ve në janar të vitit 2004, e cila ndihmon në udhëheqjen e luftës kundër varfërisë globale.