Në Kosovë s’ka ligje për mbajtjen, trajtimin dhe nxjerrjen e qenve në ambiente publike

Në Kosovë s’ka ligje për mbajtjen, trajtimin dhe nxjerrjen e qenve në ambiente publike

“Maska e hundës për qentë kërkohet në ato raste kur kafsha ka një histori më parë të raportuar për kafshim, kur qeni është agresiv apo kur ka ndonjë shkresë nga mjeku për agresivitetin e tij”.

Kështu thotë veterinari, që është edhe drejtor i Bujqësisë në Komunën e Malishevës, Murat Hoxha, në një prononcim për Gazetën Online Insajderi, derisa ka komentuar rastin e fundit të ndodhur në rrugën “B” në Prishtinë, ku policia duke mos i ditur rregullat, ka përdorur sprej ndaj një qytetare, e cila nuk i kishte vënë maskë qenit të saj tetë muajsh.

“Fajtori kryesor për mosdije në këtë rast është polici, i cili do duhej të sillej ndryshe sesa në rastin që e kemi parë në rrjete sociale. E dënoj ashpër rastin në fjalë”, ka thënë Hoxha.

Megjithatë, siç shpjegojnë nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë, se si të sillet një polic në të tilla raste më shumë i takon gjykimit të tij personal, pasi që “nuk është e rregulluar me ligj mbajtja e qenve, mënyrat e trajtimit apo rregullat dhe kushtet për nxjerrjen e tyre në natyrë”.

Për rregullimin e kësaj fushe AUV ka paraparë “që në vitin 2022 të iniciojmë hartimin e një udhëzimi administrativ, i cili parasheh të gjitha kushtet dhe kriteret për mbajtjen e tyre”.

Kështu thotë zyrtari për Informim i kësaj agjencie, Lamir Thaçi, në një përgjigje për Insajderin, i cili tregon edhe një detaj të padalë në pah deri më tani.

Thaçi thotë se në Kosovë nuk është i punësuar asnjë inspektor i veçantë për përkujdesje ndaj kafshëve.

“Ne si autoritete kemi paraparë që në të ardhmen të punësojmë zyrtarë që do ta mbulojnë specifikisht këtë fushë. Tani për tani kjo kontrollohet nga inspektorët veterinarë të nivelit qendror dhe atij lokal”, thotë ai.

Veterinari Hoxha, shton se sjelljen agresive të qenve më shumë se gjithçka tjetër e shkakton keqtrajtimi i tyre nga vetë njerëzit.

“Agresiviteti në qen shkaktohet nga faktori njeri, duke i keqtrajtuar, koha, kushtet e jetesës dhe shumë faktorë tjerë”.

Por a rregullohen me ligj në Kosovë rastet që kanë të bëjnë me abuzimin ndaj kafshëve, prej çka edhe mund të shkaktohet agresiviteti i tyre?

AUV thotë se me bazën aktuale të ligjeve në fuqi është i ndaluar abuzimi me kafshët dhe janë të përcaktuara sjelljet ndaj tyre.

“Janë disa autoritete ligj zbatuese të cilat kanë për obligim që kudo që hasin apo vërejnë se ka sjellje jo të duhur ndaj kafshëve mund të ndërmarrin veprimet ligjore, duke iniciuar edhe procedurë në gjykatë”, thotë Lamir Thaçi për redaksinë, duke shtuar se masat ndëshkimore janë të përcaktuara për shkeljet që hasen, varësisht prej tyre organi kompetent është i obliguar t’i shqiptojë ato.

Të pyetur se sa qenë shtëpiakë janë regjistruar në Kosovë dhe sa prej tyre janë të regjistruar me çip, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë thonë se numri i përgjithshëm i qenve me pronarë nuk dihet meqë ende nuk ka filluar regjistrimi i tyre.

“Ne kemi paraparë që shumë shpejt të nisim edhe një projekt me të cilin do të bëhet identifikimi dhe regjistrimi i qenve me pronar. Qentë me pronar të cilët janë aktualisht të markuar, shënjuar apo regjistruar me çipa, janë të kryer si shërbime nga klinikat veterinare private dhe këto shërbime janë kryer për nevoja të pronarëve. Ne si autoritet nuk i posedojmë këto të dhëna”, thonë nga AUV.

Kjo Agjenci njofton se baza ligjore është krijuar dhe ka hyrë në fuqi gjatë këtij muaji.

“Në momentin që fillon projekti secili mbajtës i qenve do të jetë i obliguar ashtu sikurse është e përcaktuar me ligj që të bëjë identifikimin dhe regjistrimin e kafshës që mban. Ata do të jenë të pajisur me qipat e aprovuar nga AUV me të dhënat e shtetit të Republikës së Kosovës. Pas regjistrimit pronarët bartin të gjitha përgjegjësit për kafshët e tyre”.

Ditë më parë qytetarja, Emina Haxhiu, ishte ndaluar nga disa zyrtarë policorë në rrugën “B” të kryeqytetit pasi nuk i kishte vënë maskë qenit të saj tetëmuajsh të racës pitbull, me ç’rast edhe ishte spërkatur me sprej në sy nga ana e policëve.

Një ditë më vonë Haxhiu ka treguar se kishte ende probleme me frymëmarrje, por gjendja e saj ishte e mire, ndërsa ka komentuar sjelljen që kanë shfaqur policët ndaj saj, duke thënë se e kanë bërë të mendojë dy herë për drejtësinë në Kosovë.

“Sapo isha te rruga B përballë fitnesit Five Star, erdhën disa djem, që ndaluan për të lozur me qenin. Në atë moment erdhën katër zyrtarë policorë e më pyetën se pse qeni nuk e ka të vendosur maskën. Unë me mirësjellje u tregova se qeni është tetëmuajsh e nuk është i rrezikshëm. Edhe pse i racës pitbull, nuk është i rrezikshëm dhe është shumë miqësor me të gjithë”, ka sqaruar ajo ndodhinë për ‘TV Kohavizion’.

“Vazhduan me pretekstin se qeni nuk ka maskë nuk guxon me rreziku qytetarët në atë mënyrë. Unë po mundohesha të shpjegoja situatën, por nuk e pata mirëkuptimin e Policisë. Unë kur flas instinktivisht bëjë gjeste me duar, dhe erdh një prej policeve e tha mos bë me dorë. Unë i thash se bëjë instinktivisht me duar. Erdh një zyrtar tjetër policor dhe ajo i tha atij që mos të merret me dua e të më shënojë dënimin 500 euro”, ka treguar Haxhiu në një intervistë televizive një ditë pasi kishte ndodhur rasti që bëri bujë në rrjetet sociale.

Ajo ka thënë se ka pyetur zyrtarët policorë se në bazë të cilit nen po e dënojnë, por ata nuk i kanë dhënë shpjegim.

“Ia dhashë letërnjoftimin. Erdhën edhe dy policë tjerë, pra u bënë dy gra e katër burra. E pyesja në bazë të cilit nen të ligjit po më gjobisin me 500 euro. Shikonin njëri-tjetrin, shihej se nuk e dinin ligjin, nuk dinin ku të bazoheshin. Më thoshin je dal me këtë qen të rrezikshëm. Unë pyesja, e ata më thoshin largohu mos u afro me këtë qen se të spërkati me sprej. Unë nuk e kam pritur një reagim të tillë prej Policisë sonë, vetëm më ka ardhur sprej fytyrës, gojës, hundës dhe syve”, ka treguar Haxhiu.

“Do t’i shkoj kësaj pune deri në fund. Nuk isha as e armatosur e as nuk isha ndonjë narkomane që reaguan në atë mënyrë. Nuk dua të viktimizohem, pasi nuk është në natyrën time”, ka thënë ajo. /Insajderi.com